E liroi Enver Sekiraqën, gjyqtari Kuçi ndëshkohet me vërejtje me shkrim dhe ulje page

Vërejtje publike me shkrim dhe zvogëlim të pagës për 20 % për një periudhë prej 6 muajve i është shqiptuar gjyqtarit Agim Kuçi, për shkak të shkeljeve disiplinore në rastin e vrasjes së Triumf Rizës ku i akuzuar është Enver Sekiraqa.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka marrë vendim për dënimin e gjyqtarit Kuçi më 21 janar të këtij viti.

Kuçi është rikthyer në punë pas një suspendim prej afërisht 7 muaj, pasi që kishte vendosur që ta hiqte masën e arrestit shtëpiak për të akuzuarin Sekiraqa, i cili ishte dënuar nga gjykata e shkallës së parë me 25 vjet burgim për “nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza”.

Paneli hetimor i KGJK-së e gjeti përgjegjës të shkeljeve disiplinore gjyqtarin Kuçi.

Në vendimin e Këshillit Gjyqësor bëhet e ditur se gjyqtari Kuçi nuk e kishte ekzekutuar aktvendimin e Gjykatës së Apelit përmes së cilit ishte caktuar masa e paraburgimit.

Ai ishte i obliguar që të lëshonte urdhërarrest për ta ndaluar Sekiraqën, mirëpo Kuçi kishte vendosur që aktvendimin e Apelit ta dorëzojë në Stacionin Policor – veri, për t’ia dorëzuar personalisht të akuzuarit Sekiraqa.

 

Gjithashtu sipas vendimit të KGJK-së, bëhet e ditur se gjyqtari Kuçi nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim për të lëshuar Urdhër arrest apo Letër rreshtim ndërkombëtar për ta lokalizuar dhe ndaluar të pandehurin.

Me këtë rast, gjyqtari Kuçi kishte vepruar në kundërshtim me rregullat e Kodit të Procedurës Penale si dhe Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore.

Kuçi është gjyqtar i Krimeve të Rënda në Prishtine që nga viti 2020.

Ai, ishte pjesë e trupit gjykues që e dënoi Sekiraqën me 25 vite dënim me burgim në maj të vitit të kaluar.

Në shpallje të aktgjykimit, gjyqtari Kuçi e liroi nga masa e arrestit shtëpiak Enver Sekiraqën por një vendim i Apelit më 17 maj, 2024, e rrëzoi verdiktin e tij dhe e ktheu në paraburgim Sekiraqën.

Por, Sekiraqa tashmë veç ishte arratisur.

Ai nuk ishte gjetur në shtpinë e tij në rrugën ‘Vëllezërit Fazliu’ në Prishtinë më 17 dhe 18 maj, kur Policia me urdhëresë të Gjykatës shkoi për ta marrë Sekiraqën dhe për ta dërguar atë në paraburgim.

Enver Sekiraqa po gjykohej për shtytje në vrasjen e policit Triumf Riza.

Gjykimi ndaj tij ka nisur më 2014. Ky proces maratonik gjyqësor ndaj Sekiraqës ka rezultuar me dy dënime të deritanishme. Në vitin 2016 Sekiraqa u dënua me 36 vite burgim, kurse me 30 vite burgim në vitin 2019. Më 3 maj të këtij viti, ai u dënua me 25 vite burgim nga shkalla e parë e gjykatës.