“Në fund nuk do të kujtojmë fjalët e armiqve tanë, por heshtjen e miqve tanë”. Duke cituar një thënie të Martin Luther King, djali i Zdenek Zeman, i cili u godit nga një ishemi cerebrale në shkurt dhe ndodhet i shtruar në terapi intensive, ka publikuar në llogarinë e tij në Instagram një postim me tone polemike, të shoqëruar nga një foto ku shfaqet së bashku me të atin.
Më pas, Karel Zeman ka shpërndarë edhe “story” me një tjetër citim, këtë herë nga Charles Bukowski: “Doja të bërtisja atë që ndjeja, por heshta nga frika se nuk do të kuptohesha”.
Zdenek Zeman ndodhet i shtruar në spitalin “Policlinico Gemelli” të Romës që prej 27 shkurtit. Trajneri bohem 77-vjeçar thuhet se tashmë është jashtë rrezikut për jetën. Ish-trajneri i Romës, Lazios dhe Pescara, ndër të tjera, kishte pësuar një tjetër ishemi cerebrale, e shoqëruar me vështirësi në të folur dhe jo vetëm.
Kujtojmë se në fillim të vitit 2024, Zeman iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në zemër për vendosjen e katër “bypass”-eve koronare në klinikën “Pietrangeli” të Pescara. Gjatë ditëve pas shtrimit në “Gemelli”, gjendja e trajnerit u përmirësua gradualisht, ndaj u mor vendimi që të transferohej në repartin e mjekësisë rehabilituese për ta vazhduar trajtimin.
Zeman ende nuk i ka kapërcyer të gjitha vështirësitë, por po bashkëpunon me mjekët dhe po jep sinjale pozitive. Trajneri, i cili në shkurt të 2024-ës u detyrua të linte stolin e Pescara për ndërhyrjen e përmendur në zemër, ka një karrierë të gjatë me 1132 ndeshje në pankinat e profesionistëve, duke drejtuar edhe klube të njohura si Roma dhe Lazio. Mbi të gjitha, ai mbahet mend për “Foggia e mrekullive”, të drejtuar nga Baiano, Signori e Rambaudi.
The post E ka babain në reanimacion që në shkurt, shpë*then djali i Zeman: Do të kujtojmë heshtjen e miqve… appeared first on Telesport.