“E gjithë popullsia në Gaza, në prag të urisë ekstreme” – paralajmëron Programi Botëror i Ushqimit

Përfaqësuesi i Programit Botëror të Ushqimit të OKB-së në Jerusalemin Lindor, Antoine Renard, ka deklaruar për BBC-në se “hapja e përkohshme” për ndihmat në Gaza nuk është aspak e mjaftueshme për të përballuar nevojat ekstreme për ushqim.

“Sot për sot, shumë pak kamionë kanë mundur të dalin nga kalimi kufitar Kerem Shalom dhe nga platforma e ndihmave në Gazë drejt Rripit,” është shprehur ai për BBC World Service.

Renard është pyetur edhe për planin e Izraelit për të ndryshuar mënyrën e shpërndarjes së ndihmave në Gaza, larg varësisë nga OKB-ja, ku ai theksoi se është e rëndësishme që rrjeti ekzistues i furnizimit me ushqime të lejohet të vazhdojë të funksionojë.

“Duhet ndihmë e qëndrueshme dhe në shkallë të gjerë, përndryshe nuk do të shmangim atë që tashmë është, një popull i tërë në prag të urisë ekstreme,” është shprehur ai.