,

“E gënjyet EULEX-in është vepër penale”, Dedaj: S’kam pasur asnjëherë as këshillë juridike e as avokat

Në ditën e tretë, është duke vazhduar dëshminë në Gjykatën Speciale ish ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të akuzuar për krime lufte, ai gjatë intervistimit nga prokurori i Speciales është pyetur sërish rreth rastit në Bajcë dhe ndryshimeve të deklaratave të tij.

Prokurori kërkoi nga Dedaj të dijë se a ka qenë i informuar se kur është intervistuar nga EULEX-i që deklaratat e pavërteta janë vepër penale, ish-ambasadori tha se “asnjëherë nuk ka pasur as këshillë juridike e as avokat”.

Sipas tij, në kohën kur ishte intervistuar nuk ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore.

Pjesë nga intervistimi i ish-ambasadorit të Maqedonisë së Veriut:

Prokurori: Si e kam kuptuar nga dëshmia sot, juve nuk ju kanë rrahur as keqtrajtuar në Bajcë, nuk keni parë as të rrihet një person tjetër, as nuk keni pësuar ndonjë lëndim si pasojë e rrahjeve dhe nuk keni parë të kishte lëndime ndonjë anëtar i delegacionit tuaj që do të mund të ishte shkaktuar nga rrahjet?

Gjergj Dedaj: Një grup i vogël i personave janë shtyrë me ne, ka pasur kacafytje por aty unë s’kam parë as armë as nuk kam parë gjak dhe jemi kthyer shumë mirë në Prishtinë.

Prokurori: A është e drejtë të sugjerohet që kjo është pikërisht e kundërta ajo që i keni thënë më herët UNMIK-ut dhe EULEX-it, në të dyja intervista keni thënë se keni qenë dëshmitar i rrahjeve dhe që ju ishit rrahur?

Prokurori: A e pranoni që ju keni dhënë informacione të rreme hetuesve të Kombeve të Bashkuara?

Gjergj Dedaj: Ju kam dhënë informacione në gjendje të rëndë shëndetësore për atë se çfarë ka ndodh atë ditë.

I kam ekzagjeruar dhe i kam treguar motivet e atyre deklaratave që i kam ekzagjeruar në letrën e fundit që e kam dërguar vitin e kaluar.

Prokurori: Sipas dëshmisë që ju po jepni sot i bie që ju keni gënjyer hetuesinë?

Gjergj Dedaj: Këto nuk qëndrojnë, tash jam duke e thënë të vërtetën.

Prokurori: Ju e dinit që kur po ju intervistonte EULEX-i, mos-thënia e të vërtetës ishte vepër penale, sipas të drejtës së Kosovës, ju ishit në dijeni të kësaj?

Gjergj Dedaj: Unë s’jam avokat e as këshilltar juridik. Jam informuar, por s’kam qenë kurrë në gjykata dhe nuk e kam vlerësuar si duhet atë dhe s’kam pasur asnjëherë as këshillë juridike e as avokat.

Aktualisht seanca është duke vazhduar në sesion privat.

Related Posts