Juventusi humbi një mundësi të artë për të siguruar një fitore të rëndësishme ndaj Lazios, duke barazuar 1:1 në një përballje dramatike të zhvilluar mbrëmë. Trajneri Igor Tudor u përball me shumë sfida gjatë ndeshjes.
Situata u komplikua në minutën e 60-të, kur Pierre Kalulu u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrjeje të ashpër ndaj sulmuesit të Lazios, Castellanos. Ky moment ndryshoi rrjedhën e lojës.
Tudor u detyrua të bëjë ndryshime taktike, duke futur në lojë të riun Vasilij Adzic në minutën e 76-të.
Por vetëm nëntë minuta më vonë, ai u zëvendësua sërish, duke shkaktuar habi te publiku dhe mediat.
Në vend të tij dhe Conceicao-s, trajneri aktivizoi Dusan Vlahovicin dhe Federico Gattin, me shpresën për të ruajtur rezultatin dhe për të shtuar përvojën në fushë.
Pas ndeshjes, Tudor shpjegoi vendimet e tij të diskutueshme: “Gatti sapo ishte rikuperuar nga një frakturë dhe nuk ishte stërvitur me ekipin. E futëm vetëm për disa minuta nëse do të ishte e nevojshme. U kërkova falje të rinjve në dhomën e zhveshjes. Nuk isha i lumtur, por ishte e domosdoshme”, tha Tudor.
Ai pranoi se veprimi ishte i pazakontë, por shtoi se do ta përsëriste po të ishte në të njëjtën situatë, duke theksuar rëndësinë e përvojës dhe gjatësisë në minutat e fundit të ndeshjes.
Juventusi mbeti në vendin e katërt në renditje, por rrezikon të bjerë një pozicion më poshtë nëse Roma arrin të mposhtë Atalantën në udhëtim, gjë që mund t’i kushtojë Zonës së Vjetër një vend në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm. /Telegrafi/