E ftoi kryeministrin në debat publik, Qeveria i përgjigjet Haradinajt

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka thënë se ftesa e Ramush Haradinajt për debat publik me kryeministri Albin Kurti nuk ka sesi të kuptohet ndryshe “veçse pakënaqësi me shikueshmërinë e emisioneve ku merr pjesë ai”.

Kryeziu, me ironi tha se një përgjigje pozitive e kryeministrit Kurti për një debat televiziv me Haradinajn “do ta ndryshonte” shikueshmërinë e emisionit.

“Tash, ftesa e Kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinajt për debat me Kryeministrin Kurti, nuk ka se si të kuptohet ndryshe veçse pakënaqësi me shikushmërinë e emisioneve ku merr pjesë ai. Sigurisht që sjellja e Kryeministrit Kurti në të njëjtin kuadër televiziv do ta ndryshonte këtë”, tha Kryeziu.

Ai kujtoi sesi Haradinaj i kishte ikur një debati për 3-vjetorin e punës së Qeverisë në maj të këtij viti.

“Me 24 maj, Kryeministri Kurti e pat shkurtuar vizitën në Londër dhe nga aeroporti erdhi direkt në seancë për përballje. Atë ditë pritej të kishte debat për 3-vjetorin e punës së qeverisë, me ftesë të AAK-së. Në konkluzionet e rezolutës, kërkohej shkarkimi i qeverisë. Debati nuk u mbajtë në mungesë të deputetëve të opozitës (vetëm 3 deputetë ishin të pranishëm). Në atë seacë mungoi edhe vetë z. Haradinaj. Tërë dimrin e pranverën këtë vit kanë folur për këtë mocion, prej të cilit hoqën dorë me 24 maj”, tha ai.

Ramush Haradinaj, të hënën ka ftuar mbajtjen e një debati publik mes tij dhe kryeministrit Kurti.

Sipas Haradinaj, kjo thirrje për përballje mes tij dhe Kurtit është të diskutohen arritjet kryesore të qeverisë Kurti dhe Haradinaj.