E diela ‘ditë pushimi’ për Kurtin? Limaj i tha “Jo për qeveri, suksese ty”

  • “Jo për Qeveri, suksese ty”.

Tre votat e NISMA-s Socialdemokrate që Albin Kurti i merrte për të mirëqena, iu kumtua që s’janë të tilla nga vetë Fatmir Limaj, të nesërmen e zgjedhjes së Dimal Bashës Kryetar të Kuvendit. Kështu zbuloi anëtari i Kryesisë së NISMA-s, Bilall Sherifi, në intervistë në “Pressing” të T7, tash tre ditë nga mbyllja e afatit kushtetues për Albin Kurtit për të zgjedhur qeverinë e re ose jo, përkatësisht të dielën.

Se tre votat e ti nuk do të jenë për këmbim-marrëveshje qeveritare, Sherifi tha se Limaj ia ka bërë të qartë Kurtit në takimin e fundit, një ditë para zgjedhjes së Dimal Bashës. Por, edhe pas kalimin të kësaj, nga Vetëvendosje janë shprehur me sigurinë më të latë, se “i kemi votat” për qeveri – duke llogaritur në pakicat jo-serbe dhe tre votat e Limajt.

“Pas atij takimit të famshëm të fundit, një ditë para seancës, atë natë Limaj ftoi Kryesinë e Nismës. Dhe na ka informu për bisedën me Kurtin. Dhe aty është marrë vendim “Jo në Qeveri, vetëm partneritet për Kuvned”, dhe kjo është miratu. Dhe nga ai moment nuk ka ndryshim”, tha Sherifi.

“Ka tentu Kurti të vendos kontakt me Limajn edhe pasi është zgjedh Dimal Basha. Zoti Limaj ka thënë që meqë nuk arritëm të konkretizojmë bashkëpunimin në parlament, ti nuk e ke pa të arsyeshme partneritetin në Kuvned, ju e dini mirë që nuk jam i interesuar për qeveri, ju uroj suksese mëtej. Ky është komunikimi i fundit që zoti Limaj ka pas me Kurtin”.

Deri në 56 duar Albin Kurti i ka pasur më së shumti, pesë më pak se shumica minimale prej 61 për të votuar qeveri: dhe atë qeveri me këmbë të drunjta, nga e cila do të ishte në mëshirën e 11 deputetëve të pakicës jo-serbe dhe tre të Nismës Socialdemokrate.

Por, hiç më larg se dje Albin Kurti brendarreshtash pranoi se nuk i ka votat të dielën: u ankua për ‘helmim’ (intoksikim) të atmsoferës, “inatit e xhelozisë” për të justifikuar mos-numrat për qeveri të re – për të cilat thoshte “i kam numrat, le të më testojnë”.

“Nuk është kollaj, se, s’di qysh me ua shpjegu, ndoshta e keni ndëgju edhe ju vet, është intoksu atmosfera shumë, ka shumë xhelozi e inati e ciniziëm shumë më shumë se ide, punë e pasion. Por, jemi ku jei dhe do të përpiqemi ta bëjmë qeverinë. Por, siç duket, alternativa është se do të shkojmë në zgjehdje prap”, tha Kurti dje.

Arbëreshë Krasniqi, deputete e Nismës Socialdemokrate, për media po ashtu konfirmoi se nuk kanë zhvilluar bisedime me Albin Kurtin dhe se ky i fundit nuk është përgjigjur në kërkesat e tyre.

“Ne kemi një kërkesë që është tanimë e njohur. E vetmja mundësi që NISMA t’i ofroi bashkëpunim LVV-së është që të lëviz nga pozicioni kryetari i Kuvendit”- tha Krasniqi.

Duda Balje, Veton Berisha dhe Adem Hoxha – mbeten vota të pakorra nga Vetëvendosje, dhe, përveç të pakorra, edhe të pakontaktuara.

“Jo hala nuk më ka kontaktuar kurrëkush”, tha Duda Balje.

Vota e saj ndaj një qeverie të Albin Kurtit “nuk ka ndryshuar”, tha ajo – dhe shtoi që “nuk besoj që kam me ndërru, dhe, ata e dinë shumë mirë”.

As Veton Berisa nga komuniteti egjiptian nuk ka njoftuar të jetë kontaktuar apo të ketë arrirë marrëveshje me Albin Kurtin e Vetëvendosjes.

Për Adem Hoxhën, ky i fundit ka rigravituar te grupi parlamentar i Listës Serbe.

As nga VV vetë, dhe partnerët, s’besojnë të ketë qeveri të re.

Emilja Rexhepi nga komuniteti boshnjak, rivale e Duda Baljes, tha se do të votojë qeveri të re nga Albin Kurti, por ama “nuk e di nëse do të formohet”.

“Nuk e di, shpresoj, ne do e votojmë Qeverinë”, tha ajo për Front Online.

Kusari-Lila, mosbesim të madh

Partnerja e ngushtë e Albin Kurtit, Mimoza Kusar-Lila tha se “disa bisedime” veçse janë zhvilluar, por se për këtë duhet të flasë i pari i Vetëvendosjes vetë. Por, sa për partinë e saj, Kusari-Lila tha se duan zgjedhje të reja.

“Unë mund të flasë në emër të Aleternativës, unë them se zgjidhja më e mirë janë zgjedhjet e reja sepse tashmë është bërë një periudhë e gjatë prej kohës së mbajtjes së zgjedhjeve dhe ka pasur disa ndryshime të cilat kërkojnë ri konfirmim të besimit të qytetarëve por natyrisht për zgjedhje gjithmonë jemi gati”, tha Kusari-Lila ditë më parë.

Mefail Bajqinovci, shpresëdhënës

Qeveria Kurti III bëhet “besoj”, tha Mefail Bajqinovci i Vetëvendosjes në një intervistë për Gazetën Blic.

Bajqinovci tha se “VV nuk zhagit” dhe se do ta bëjë qeveri “me Nismën dhe disa deputetë të caktuar”.

“Nuk dihet s’kemi konfirmim por shumë shpejt, java e ardhshme besoj se s’kemi kur tjetër, deri në të dielën e ardhshme e kemi afatin, mbetet në diskrecion të kryeministrit se kur do të na tregojë t’i bëjmë përgatitjet për seancën solemne”, shton Bajqinovci.

“Është në diskrecion të mandatarit Albin Kurti, i cili do të vazhdojë bisedimet. Opozita dhe deputetët të mos e çojnë vendin në zgjedhje për teke dhe të vazhdohet me qeverisje”, ka theksuar ai.