E dëgjuam edhe këtë: Fitore Pacolli pretendon se ndaloi keqpërdorimet në bujqësi, vëllai e daja i saj përfituan grante

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka harruar skandalin me keqpërdorimin e subvencioneve nga vëllai dhe daja i Fitore Pacollit, deputetes së partisë së tij, teksa ka pretenduar se ka ndalur abuzimet dhe keqpërdorimet në bujqësi.

Teksa ka prezantuar programin qeverisës për zgjedhjet e 9 shkurtit, Kurti ka thënë se mandatin e ka përfunduar me fermerët më të mbështetur nga shteti.

Ka thënë se dëshmitarë për këtë kishte 120 mijë fermerë.

“Mandatin që po e përfundojmë fermerët i bëmë më të mbështeturit në rajon e për këtë dëshmitarë i kem mbi 120 mijë fermerë që përfituan mbi 300 milionë euro grante e subvencione”, ka thënë Kurti, i cili ndryshe nga tubimet në të cilat çirret dhe bërtet, në prezantim të programit fliste qetë.

“Më e rëndësishmja është që subvencionet kanë shkuar te fermerët, janë ndalur abuzimet dhe keqpërdorimet që mbizotëronin”, ka thënë ai.

Kurti harroi se në muajin nëntor shpërtheu skandali kur subvencion në bujqësi iu dha fillimisht vëllait të deputetes Pacolli. Pak ditë më vonë, është raportuar se subvencion rreth 60 mijë euro kishte marrë edhe daja i saj.

Pas raportimit të madh nga mediat, Ministria e Bujqësisë e drejtuar nga Faton Peci kishte pezulluar vendimin për subvencionin  dajës së Pacollit.