E BUJSHME: Nico Williams i vendos një kusht të panegociueshëm Barcelonës, nëse katalanasit duan transferimin e tij

Java që vjen pritet të jetë shumë vendimtare për fatin e Nico Williams. Sulmuesi është shumë pranë transferimit te Barcelona dhe zyrtarizimi i marrëveshjes sipas mediave spanjolle pritet të ndodhë në datën 1 ose 2 korrik.

Barcelona ka vendosur të paguajë klauzolën e vendosur nga Athletic Bilbao për sulmuesin që është 62 milionë euro dhe e gjithë pagesa do të bëhet në një këst të vetëm, ashtu siç ka kërkuar klubi bask.

Ndërkohë, ditën e sotme “Marca” raporton se sulmuesi anësor i ka vendosur një kusht të panegociueshëm Barcelonës, në rast se katalanasit duan transferimin e tij. Williams ka kërkuar nga drejtuesit e Barcelonës garanci 100% që ai do të jetë i regjistruar në La Liga që në fillimin e sezonit 2025/2026.

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, është shprehur me siguri të plotë se Barcelona nuk do ketë probleme në regjistrimin e transferimeve të reja. Por, përfaqësues të La Ligës bëjnë me dije se Barcelona ende nuk është kthyer në rregullin e fmashëm 1:1, që ndikon direkt në procedurat për regjistrimin e prurjeve të reja.

Te Barcelona nuk janë të shqetësuar për këtë rregull, pasi janë të bindur se këtë vit nuk do kenë problem në regjistrimin e transferimeve të reja, pasi do bëjnë disa shitje të rëndësishme, ku emrat më të përfolur janë Ronald Araujo, Ter Stegen, Andreas Christensen, Pablo Torre dhe Ansu Fati. Shitja e këtyre lojtarëve do të krijojë hapësirën e duhur për regjistrimet e reja.

The post E BUJSHME: Nico Williams i vendos një kusht të panegociueshëm Barcelonës, nëse katalanasit duan transferimin e tij appeared first on Telesport.