E ardhmja tek Interi? Valentin Carboni: Herët për ta thënë, por klubi dhe Chivu besojnë tek unë

“Në 1/8 finales së Kupës së Botës për Klube falë këmbës sime të djathtë? Në të vërtetë as vetë nuk e prisja. Dëmtimi ishte një goditje shumë e rëndë për mua, të arrija të gjeja hapësirë dhe të shënoja gol shkon përtej dëshirave që kisha. Për mua mjaftonte vetëm të kthehesha të isha futbollist”.

Me zemër në dorë dhe me shumë sinqeritet foli Valentin Carboni në intervistën e dhënë për “Gazzetta dello Sport”, një ditë pas përballjes me Fluminense. Mosbesim dhe habi për një si argjentinasi i lindur më 2005, që ka duruar mbi 8 muaj ndalesë për shkak të dëmtimit të rëndë të ligamentit të kryqëzuar. Sidoqoftë, puna e madhe për t’u rikthyer në dispozicion ia ka vlejtur:

“Para operacionit, karriera kishte ecur aq shpejt, sa ndoshta e kisha pak të vështirë ta menaxhoja, por tani e di që gjithçka ndodh për një arsye në jetë. Edhe pse kam vuajtur shumë, në këtë operacion të ligamentit të kryqëzuar shoh diçka të mirë. Më ka ndihmuar të piqem dhe të përmirësohem aty ku duhej. Jam bërë më i plotë si person dhe si futbollist. Ndihem më i fortë fizikisht dhe mendërisht, më i motivuar se sa isha më parë”.

I pashmangshëm referimi për të ardhmen, pasi me Pio Espositon, linja e të rinjve tek Interi po merr formë. Apo ndoshta e pret një huazim tjetër? Valentin Carboni përgjigjet kështu: “Nuk e di, është herët për të folur mbi këtë. Tani është Kupa e Botës së Klubeve, më pas grumbullimi për sezonin e ardhshëm, për të qenë me grupin. Cilado qoftë zgjidhja, e di që Interi beson dhe ka besuar gjithmonë tek unë, ashtu si Chivu”.

The post E ardhmja tek Interi? Valentin Carboni: Herët për ta thënë, por klubi dhe Chivu besojnë tek unë appeared first on Telesport.