Ish-ministri Arsim Bajrami, e ka demantuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili e akuzoi se ishte në krye të Ministrisë së Arsimit kur është hartuar “Doracaku për Edukim Seksual”.
Kurti përmes një shkrimi të gjatë në Facebook, ka reaguar lidhur me doracakun mbi edukimin seksual të miratuar nga Qeveria e tij por që kishte përmbajtje skandaloze, e që pas raportimit nga mediat, ai u largua nga Ministria e Arsimit.
Ai tutje ka akuzuar opozitën, ish-ministrin Arsim Bajramin nga PDK dhe ish-ministren Hykmete Bajrami nga LDK se kinse këta kanë qenë hartuesit dhe miratuesit të doracakut. Edhe pse ky doracak është publikuar në vitin 2023 nga Qeveria e tij, e ku ministre e Arsimit vazhdon të jetë Arberie Nagavci.
E për këtë ka reaguar ish-ministri Bajrami i cili ka demantuar Kurtin, një postimi në Facebook, ai ka shkruar se përmbajtja e doracakëve nuk është hartuar e as miratuar përgjatë kohës sa ka udhëhequr ai.
Reagimi i plotë i Bajramit:
Unë tashmë prej kohësh nuk jam i angazhuar aktivisht në politikë, mirëpo ndjeva nevojën të jap këtë sqarim, pasi kryeministri z. Albin Kurti më ka përmendur në reagimin e tij lidhur me debatet e fundit mbi temën e doracakëve për mësimdhënës “Edukimi seksual dhe shëndeti riprodhues” për arsimin fillor, arsimin e mesëm të ulët dhe arsimin e mesëm të lartë.
Dëshiroj të sqaroj se në shkurt 2016, kur unë isha në udhëheqje të MASHTI-t, është paraqitur kërkesa tek UNFPA (Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë) për mbështetje në hartimin e doracakëve për mësimdhënës. Për këtë, shpreh mirënjohjen time ndaj UNFPA-së për gatishmërinë e tyre për të ofruar ndihmë duke qenë një agjenci e Kombeve të Bashkuara që punon për të përmirësuar çështjet që lidhen me popullsinë dhe zhvillimin.
Gjithsesi, hartimi dhe miratimi i përmbajtjes së doracakëve nga njësitë përkatëse të MASHTI-t nuk ka ndodhur gjatë periudhës kur unë isha në udhëheqje të ministrisë.
Gabime në tekste shkollore, planprograme dhe doracakë kanë ndodhur (përfshirë periudhën kur unë kam shërbyer), ndodhin dhe do të ndodhin edhe në të ardhmen. Ajo që është më e rëndësishme, është që institucionet shtetërore përkatëse të jenë të hapura dhe të tregojnë gjithmonë gatishmëri për reflektim dhe përmirësim.