Dyshohet se u keqpërdorën mbi 100 mijë euro në një çerdhe në Prishtinë, arrestohet një person

Dy persona janë intervistuar nga policia ku njëri nga ta është dërguar në mbajtje pas hetimeve në lidhje me dyshime për keqpërdorim të fondeve publike në një institucion parashkollor në Prishtinë.

Në njoftimin e Policisë thuhet se hetimet janë zhvilluar nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, lidhur me dyshimet për keqpërdorim të fondeve publike në institucionin e lartpërmendur parashkollor.

“Gjatë hetimeve janë siguruar prova që tregojnë përpilimin e listave fiktive të subvencioneve për fëmijë që nuk kanë ndjekur institucionin, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare. Dyshimet përfshijnë gjithashtu tërheqje të parave në mënyrë të parregullt dhe blerje të pajisjeve elektronike pa justifikim të nevojave institucionale”, thuhet në njoftim.

Policia bën të ditur se dëmi i shkaktuar mund të arrijë në mbi 100 mijë euro. Aty thuhet se janë intervistuar dy të dyshuar, njëri prej tyre është dërguar në mbajtje.

“Hetimet janë duke vazhduar për të përcaktuar përgjegjësitë dhe shumat e sakta të dëmit të shkaktuar që mund të arrijnë vlerën mbi 100 mijë euro. Dy të dyshuar janë intervistuar dhe njeri nga ta dergohet në mbajtje për procedura të mëtejme ligjore. Policia mbetet e përkushtuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimeve ekonomike, duke bashkëpunuar me institucionet e drejtësisë”, thuhet në njoftim.