Gripi i derrit dyshohet të ketë qenë shkaku i vdekjes së një personi në Klinikën Infektive të enjten.
Vdekjen, si të dyshimtë e kishte raportuar në polici, djali i viktimës, derisa policia ka nisur hetimet.
Por, institucionet përgjegjëse kanë mohuar vdekjen e pacientit.
Drejtori i kësaj klinike, Hamdi Ramadani, ka mohuar të ketë pasur raste me vdekshmëri dhe nuk ka pranuar të jap asnjë informacion shtesë.
Ekipi i KTV-së ka kontaktuar edhe Drejtorinë e Institutit të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, i cili në një përgjigje me shkrim, ka mohuar të ketë pasur ndonjë rast me grip të derrit.
Trupi i pajetë, me kërkesë të familjarëve, është dërguar për obduksion dhe raportin për shkaktarin e vdekjes familja pritet të marrë në ditët në vijim.
E ditë më parë, Instituti i Shëndetit Publik, në një komunikatë për media, kishte raportuar se epidemia e gripit në Kosovë, ka rënie të dukshme.