Dyshohet se fshinë pamjet nga rrahja ku u përdorën edhe armët, kërkohet paraburgim ndaj dy personave

Departamenti i Krimeve të Rënda i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të pandehurve E.A., dhe R.S., -komuna Ferizaj, të cilët që nga data 28 tetor 2025, me vendim të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, për veprën penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale” dhe “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare”.

Sipas dosjes së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se “i pandehuri E.A., më 21 korrik 2025, në intervalin kohorë 00:20-01:00, në fshatin Doganaj, ka ndihmuar të pandehurit A.S., dhe L.V., në shmangien e zbulimit të veprës penale vrasje në tentativë nga neni 172 lidhur me nenin 28 të KPRK-ës dhe të pandehurit L.K., Sh.L., dhe B.A., në shmangien e zbulimit të veprës penale pjesëmarrja në rrahje nga neni 187 par.1 lidhur me par.2 të KPRK-ës në atë mënyrë që pas konfliktit që ka ndodhur në mes të pandehurve ku janë përdorur edhe armët e zjarrit dhe kanë mbetur të lënduar rëndë të pandehurit A.S., dhe L.V., i pandehuri si menaxher i marketit, i cili gjendet në fshatin Doganaj ka fshirë video incizimet nga kamerat e sigurisë për periudhën kohore kur ka ndodhur takimi i të pandehurve para marketit, me qëllim që të shmang zbulimin e veprës penale dhe të pandehurve të cilët ishin përfshirë në gjuajtje me armë zjarri dhe kishin marrë pjesë në rrahje, me këto veprime do të kryente veprën penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale” nga neni 380 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2 nënparagrafin 2.2 të KPRK-së”.

“Kurse, për të pandehurin R.S., ekziston dyshimi i bazuar se me datë 27 korrik 2025, në fshatin Doganaj, si pronar i objektit, e ka nxitur të pandehurin E.A. që të fshijë video incizimet nga kamerat e sigurisë për datën 21 korrik 2025, për periudhën kohore 00:20 deri 01:00, e cila kamerë ka qenë e vendosur në objektin përballë parkingut, me qëllim që të pamundësohet shfrytëzimi i tyre në procedurën penale kundër të pandehurve A.S., L.V., L.K., Sh.L., dhe B.A.., të cilët kanë marrë pjesë në rrahje, në të cilën rrahje janë përdorur edhe armët e zjarrit dhe kanë pësuar lëndime të rënda trupore dy të pandehurit A.S., dhe L.V., me këtë do të kryente veprën penale “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare” nga neni 386 paragrafi 1 nënparagrafi 1.5 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.