Gjatë ditës së sotme në Pejë, është arrestuar një person nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i Parasë”.
Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike, ka filluar hetimet pas një denoncimi nga një qytetar i rajonit të Pejës, i cili kishte pranuar një shumë prej 9 mijë dollarë amerikanë në emër të kthimit të një borxhi për shitblerje veturash.
Sipas një komunikate për media, i dyshuari është intervistuar në prani të avokatit të tij mbrojtës dhe me aktvendim të Prokurorit të Pejës është dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Hetimi është në vazhdim dhe po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për të zbardhur plotësisht rastin. Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë kompetente, do të vazhdojë të ndjekë me prioritet çështje të tilla për të garantuar sigurinë dhe integritetin financiar të qytetarëve të vendit”.