Dyshohet se bashkëpunëtori i Bulliqit e sulmoi sekretarin e LDK-së në Podujevë, deklarohet policia

Përplasjet mes pushtetit lokal në Podujevë dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës atje, duket se nuk kanë përfunduar.

Pas rastit të kryetarit të komunës Shpejtim Bulliqi dhe asamblistit të LDK-së, Ekrem Rrahmani, dje ka ndodhur edhe një incident mes eksponentëve të dy taborëve.

Në rastin e fundit, ditën e djeshme dyshohet se bashkëpunëtori i Shpejtim Bulliqit, Rinor Hajrullahu, e ka sulmuar sekretarin e degës së LDK-së në Podujevë, Besim Halitin.

Lidhur me rastin janë deklaruar nga policia.

Organet e rendit bëjnë të ditur se Hajrullahu është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

Policia ka nisur hetimin e rastit si “Sulm”.

“SULM
Podujevë 15.09.2024, 16:45. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se ishte sulmuar nga një i dyshuar mashkull kosovar. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”.

Rreth këtij incidenti mbrëmë ka reaguar dega e Lidhjes Demokratike në Podujevë, por asnjë fjalë nuk ka ende nga pala tjetër.