Një muaj paraburgim është caktuar ndaj Ismet Zukajt, i cili dyshohet për vrasje të rëndë në tentativë dhe mbajtje të paautorizuar të armëve.
Njoftimi u bë i ditur nga Gjykata Themelore e Pejës, ku vendimi është marrë nga gjyqtari i procedurës paraprake Sh.C., pas shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë Themelore në Pejë.
Paraburgimi ndaj të dyshuarit fillon nga data e arrestimit më 13 janar 2026, në ora 00:17, dhe do të zgjasë deri më 12 shkurt 2026, në ora 16:00.
Zukaj dyshohet se lidhet me rastin e djeshëm ku u plagosën tre persona në Deçan.
Ai u arrestua pak orë pas incidentit, ndërsa bëhet e ditur se ai ka pasur edhe histori të mëparshme kriminale.
Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në afat prej 48 orësh, përmes Gjykatës Themelore në Pejë, pranë Gjykatës së Apelit në Prishtinë.
Shënim: Personi/personat e përmendur në këtë artikull, prezumohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.










