Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar mbrëmë se ka urdhëruar që përkohësisht te ndërpritet procesi i mëtejmë i numërimit të fletë votimeve në Qendrën Komunale të Numërimit në komunën e Mitrovicës.
Siç njoftim Prokuroria kjo ka ardhë si pasojë e parregullsive të paraqitura nga ana e komisionerëve, për shkak të numrave serikë të ndryshëm në disa fletëvotime, ku është aluduar për gabime teknike, e po ashtu ka pasur edhe pretendime se kemi të bëjmë me manipulim të qëllimshëm me fletëvotime.
“Kjo ka ardhur si pasojë e raportimit të parregullsive të paraqitura që kanë rezultuar me ndërprerjen e votimit nga ana e komisionerëve, për shkak të numrave serikë të ndryshëm në disa fletëvotime, ku është aluduar për gabime teknike, e po ashtu ka pasur edhe pretendime se kemi të bëjmë me manipulim të qëllimshëm me fletë votime. Për këto arsye, dhe me qëllim të shmangies të të gjitha dilemave, kjo urdhëresë vlen deri në marrjen e një përgjigje zyrtare nga operatori ekonomik që ka shtypur fletë votimet, e ku do të konfirmohet se a kemi të bëjmë me gabim teknik apo me manipulim të fletë votimeve, dhe varësisht nga përgjigja e marrë do të procedohet tutje”, thuhet në njoftim.
Gjatë natës së mbrëmshme, komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dalë me sqarim lidhur me fletëvotimet në Mitrovicë, ku u raportua se ka mospërputhje të numrit serik me atë të vendvotimit dhe u ndërpre numërimi.
Sipas KQZ-së situatë e njëjtë ka qenë edhe me fletëvotime në Gjakovë. KQZ ka thënë se ka komunikuar me kompaninë përgjegjëse për shtypjen e fletëvotimeve, e cila ka pranuar mundësinë që gabimi të ketë ndodhur në printerin mekanik që vulos të dhënat variabile dhe se ditët në vijim do të dal me raport sqarues.
KQZ ka siguruar se ky gabim nuk ndikon në integritetin e votimit apo numërimit të votave.
“Është me rëndësi të theksohet se numri i përgjithshëm i fletëvotimeve të shtypura është evidentuar saktë. Për më tepër, për secilin vendvotim, fletëvotimet e shtypura kanë numra serikë të shënuar në pjesët amë të fletëvotimeve, të cilët përputhen plotësisht me numrin e fletëvotimeve të pranuara dhe të verifikuara deri më tani në Qendrën Komunale të Mitrovicës së Jugut dhe Gjakovës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve siguron publikun, votuesit dhe të gjithë akterët e përfshirë në procesin zgjedhor se ky gabim teknik nuk ndikon në asnjë mënyrë në integritetin e procesit të votimit apo të numërimit të votave, pasi fletëvotimet përmbajnë elemente të shumta sigurie që garantojnë se ato nuk mund të falsifikohen apo kopjohen”, ka thënë KQZ.










