Dyshime të forta| Prokuroria e Policia shkojnë në Qendrën e Numërimit- Çka po ndodhë në Mitrovicë

Është ndalur numërimi i votave në Mitrovicë. Policia e Prokuroria janë futur në vendin ku po numërohen votat, në qendrën komunale të numërimit.

 

Drejtori i Bujqësisë në Komunën e Mitrovicës, Ferdi Kadriu ka ngritur shqetësime për procesin e numërimit të votave në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicë, duke thënë se sot aty nisi rinumrimi i kutive të votimit dhe se janë evidentuar fletëvotime me numër serik të ndryshëm nga klasa përkatëse.

Përmes një postimi në Facebook, ai është shprehur se aktualisht është në detyrë ndërrimi i dytë, por sipas tij, procesi është ndërprerë nga organet e rendit dhe të drejtësisë.

Kadriu bëri të ditur se numëruesit janë larguar nga salla dhe siç tha ai, puna është pezulluar.

“Dje përfundoi procesi i votimit në qytetin tonë, ndërsa sot nisi rinumrimi i kutive të votimit në Qendrën Komunale të Numërimit. Gjatë ndërrimit të paradites, janë evidentuar fletëvotime me numër serik të ndryshëm nga klasa përkatëse. Aktualisht është në detyrë ndërrimi i dytë, por procesi është ndërprerë nga organet e rendit dhe të drejtësisë. Numëruesit janë larguar nga salla dhe puna është pezulluar”.

“Kjo situatë është serioze dhe meriton vëmendjen e të gjithëve. Vullneti i qytetarëve është themeli i zgjedhjes së pushtetit lokal dhe ky vullnet nuk guxon të deformohet. Që nga fillimi i fushatës e deri tek numri i pazakontë i votuesve në balotazh, janë ngritur dyshime të forta të cilat sot po marrin formë konkrete”, ka shkruar ai.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, ka reaguar pas zhvillimeve në procesin zgjedhor në Mitrovicë, duke akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti për manipulime masive dhe përfshirje të strukturave shtetërore në procesin e votimit.

Sipas Behramit, në këto pesë vjet Kurti “e ka suspenduar logjikën” dhe në vend të saj “ka injektuar inatin, përçarjen e urrejtjen” në shoqëri.

 

Kryetari i Aleancës Kosova e Re në Mitrovicë, Gjergj Beka, ka deklaruar për Paparacin se në disa qendra votimi janë vërejtur mospërputhje mes fletëvotimeve dhe vendvotimeve ku kanë votuar qytetarët, duke e krahasuar këtë me fenomenin e njohur si “treni bullgar”.

“Treni bullgar apo i ashtuquajtur treni qeveritar siç duket po  vërtetohet që ka ndodhur në qytetin e Mitrovicës ku fletëvotimet nuk po përputhen në vendin se se ku kanë votuar votuesit. Kjo është vërejtur në numrin serik të cilin e kanë fletëvotimet”, tha Beka.

Beka thotë se deri në këto momente, janë hasur 20 vota, ndërkohë që paralajmëron se ky numër pritet të rritet.

“Për momentin janë duke u rinumëruar gjitha votat në qytetin e Mitrovicës dhe për momentin janë rreth 20 vota. Sigurisht pritet të ketë rritje të këtyre votave”, deklaroi ai.

Në një reagim në Facebook, Beka ka shkruar me ironi se “duket se treni do ta lërë dikë në mes të rrugës”, duke lënë të kuptohet se rinumërimi mund të ndryshojë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve në Mitrovicë.

Tashmë, Prokuroria ka ndërhyrë dhe ka urdhëruar pezullimin e përkohshëm të procesit të rinumërimit të votave në Mitrovicë, pas raportimeve për parregullsi dhe mospërputhje në fletëvotime, mëson Paparaci.

Hetimet pritet të zbardhin nëse ka pasur ndërhyrje të qëllimshme në procesin zgjedhor dhe nëse bëhet fjalë për një rast të organizuar të manipulimit të rezultatit.

Prokurori, Shpëtim Peci, ka dhënë urdhër që numërimi në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicë të Jugut, të vazhdojë.

Siç raporton “Mitropol”, Peci pas dhënies së urdhrit është larguar nga QKN-ja, derisa nuk është deklaruar për media.

Disa minuta më parë, në këtë qendër, rinumërimi i votave u ndal , pasi Policia e Prokuroria ishin futur brenda qendrës.

Ndryshe, deputetë të PDK-së, kanë ngritur dyshime për manipulime me vota në Mitrovicë të Jugut,.

Në këtë komunë, në zgjedhjet e 9 nëntorit doli fitues Faton Peci, derisa kundërkandidat kishte Arian Tahirin e PDK-së.