Në një tender të ndërmarrjes publike të Komunës së Prishtinës “Termokos” janë vërtetuar ndërhyrje të jashtëligjshme në katalogun e çmimeve, që dyshohet se i kanë hapur rrugë përzgjedhjes së një kompanie të papërgjegjshme si fituese të kontratës. Si pasojë e këtyre shkeljeve, Organi Shqyrtues i Prokurimit ka kërkuar anulimin e vendimit për dhënie të kontratës dhe kthimin e procedurës në rivlerësim të ofertave, shkruan Demokracia.com.
Më 29.08.2024, “Ngrohtorja e Qytetit Termokos” Sh.A, në cilësinë e Autoritetit Kontraktues, ka publikuar Njoftimin për Kontratë, që i referohet aktivitetit të prokurimit “Furnizim me këmbyes të nxehtësisë 11 MW”, me numër prokurimi: NP Termokos.sha-24-8946-1-2-1.
Procedura është zhvilluar si tender i hapur me lloj kontrate të tipit “Furnizim”, me një vlerë të parashikuar prej 50,000.00 euro.
Më 18.12.2024, Termokosi ka publikuar Njoftimin mbi Vendimin B58, përmes të cilit ka shpërblyer me kontratë operatorin ekonomik “ZILONIS Kosova: SonFlow Deutschland GmbH” nga Prishtina.
Pas kësaj, më 23.12.2024, dy operatorë të tjerë, “EJONA” SH.P.K. dhe “BUSINESS PRO” SH.P.K., kanë dorëzuar kërkesa për rishqyrtim, të cilat më 31.12.2024 janë refuzuar nga AK si të pabazuara. Kjo i ka shtyrë dy kompanitë që të dorëzojnë ankesa në OSHP.
Dyshimet për falsifikim të katalogut
Sipas ankesës, operatori “ZILONIS Kosova: SonFlow Deutschland GmbH” ka prezantuar një katalog me 53 faqe, në të cilin pretendohet se është dokumentacion i prodhuesit SonFlow. Mirëpo, në faqet 11, 12 dhe 13 të këtij katalogu janë futur të dhëna të një prodhuesi tjetër – CETETHERM – dhe më pas është vendosur vula e SonFlow mbi këto të dhëna, duke krijuar dyshime të arsyeshme për falsifikim të qëllimshëm.
Për më tepër, në fund të një faqeje të katalogut të prezantuar shkruhet: “Sketches of the gearbox with technical data”, një frazë që përdoret zakonisht për valvola apo elementë të tjerë mekanikë, por jo për këmbyes të nxehtësisë. Kjo flet për një ndërhyrje të paqëndrueshme dhe jo profesionale në dokument, duke lënë mbetje të një materiali tjetër teknik. Kjo përforcon dyshimin se dokumenti është kopjuar e përzier nga burime të ndryshme.
Një kërkim i thjeshtë në internet mbi modelin e specifikuar në katalog (CT240-GP8) tregon qartë se ky është një produkt i prodhuesit CETETHERM dhe jo SonFlow, siç pretendon OE fitues. Vetë ky fakt përbën bazë të mjaftueshme për të konstatuar që dokumentacioni është manipuluar për të mashtruar Autoritetin Kontraktues dhe për të përfituar kontratën në mënyrë të padrejtë.
Sipas vlerësimit fillestar të bërë nga komisioni vlerësues më 23.09.2024, ekzistojnë dyshime për falsifikim, mirëpo pavarësisht kësaj, Autoriteti Kontraktues ka vendosur të mos veprojë konform nenit 26.14 të Ligjit për Prokurimin Publik (LPP), që obligon AK-në të refuzojë dokumentacionin e rremë dhe të marrë masa ndëshkuese.
Ky mosveprim nga AK, ndonëse i informuar për falsifikimin e mundshëm, përbën një shkelje të rëndë të LPP-së, konkretisht nenit 65, si dhe përbën neglizhencë institucionale në mbikëqyrjen dhe vlerësimin e ofertave.
Pretendimi ankimor i OE ankues se OE i shpallur fitues nga AK ka ofruar Çertifikatën e CE për një produkt tjetër e jo me atë me të cilin ka ofertuar sipas katalogut SF 152, qëndron pasiqë në DT dhe në njoftimin për kontratë është kërkuar si kriter O.E për produktin e ofruar të posedojë Certifikatën Evropiane CE.
Pretendimi ankimor i OE ankues se OE i shpallur fitues nga AK e ka ofruar një referencë të dyshimtë është pjesërisht i bazuar, sepse Referenca e ofruar është konfuze pasiqë është e lëshuar nga një kompani tjetër, por që është pjesë e grupit të prodhuesit. Sa i përket pretendimit ankimor të OE ankues se OE i shpallur fitues nga AK, se ka ofruar një çmim jashtëzakonisht të ulët dhe të dyshimtë për këtë produkt, kjo mbetet në përgjegjësinë e AK”, ka konstatuar eksperti OSHP-së.
“Duke u bazuar në sqarimet e lartpërmendura, eksperti shqyrtues i propozon panelit shqyrtues që ankesa e OE ankues të aprovohet si e Bazuar, të anulohet njoftimi për dhënie të kontratës dhe rekomandon që lënda të kthehet në Rivlerësim”, ka shkruar eksperti.
Paneli i OSHP-së konstaton parregullsi në tenderin për këmbyes të nxehtësisë
Pas administrimit dhe vlerësimit të provave, si dhe konstatimit të gjendjes faktike, Paneli është mbështetur në Ligjin për Prokurimin Publik (LPP) si bazë materiale dhe, pas analizimit të pretendimeve ankimore, të gjitha shkresave të lëndës dhe rekomandimeve të ekspertit, ka vendosur që ankesat e operatorëve ekonomikë “EJONA” SH.P.K. (nr. 2025/0027) dhe “BUSINESS PRO” SH.P.K. (nr. 2025/0031) të aprovohen si të bazuara.
Si rrjedhojë, Paneli Shqyrtues ka vendosur që aktiviteti i prokurimit me titull “Furnizim me këmbyes të nxehtësisë 11 MW”, me numër të prokurimit: NP Termokos.sha-24-8946-1-2-1, të anulohet në fazën B58 – Njoftimi për dhënie të kontratës, ndërsa lënda të kthehet për rivlerësim. Gjatë këtij procesi, Autoriteti Kontraktues obligohet të veprojë në përputhje me gjetjet e ekspertit shqyrtues, dispozitat ligjore të LPP-së, kërkesat e dosjes së tenderit dhe njoftimit për kontratë.
Sipas të dhënave të publikuara në platformën zyrtare të E-prokurimit, Termokos ende nuk ka bërë ndonjë njoftim të ri në lidhje me këtë tender, çka tregon se procesi është aktualisht në fazën e rivlerësimit.
Kompania fituese e akuzuar për falsifikim
Kompania ZILONIS Energy Solutions GmbH – Dega në Kosovë, është regjistruar në qershor të vitit 2023 në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK). Po atë vit, ajo u prezantua nga autoritete të fushës së biznesit si një kompani me potencial për investime në vend.
Personat e autorizuar të kësaj kompanie në Kosovë janë Arben Bujupi dhe Musa Smakaj, ndërsa si pronar është e regjistruar kompania mëmë ZILONIS Energy Solutions GmbH.
Kjo e fundit është themeluar fillimisht më 15 gusht 2018 në Gjykatën e Rrethit (Amtsgericht) Montabaur në Gjermani, me numër regjistrimi HRB 26128, nën emrin fillestar IGEFA WEINBRENNER Energy Solutions GmbH. Më 23 korrik 2020, kompania ndryshoi emrin në ZILONIS Energy Solutions GmbH dhe zhvendosi selinë në adresën aktuale: Nisterfeld 11, 57629 Müschenbach.
Sipas të dhënave të disponueshme, ZILONIS Energy Solutions GmbH është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar (GmbH), e regjistruar në Gjermani. Drejtuesit aktualë të kompanisë janë: Daniel Utsch, Musa Smakaj dhe Samir El-Assal.
Ky rast flet për një proces tenderimi seriozisht të kompromentuar dhe për implikime të rënda ligjore për të gjitha palët e përfshira. Në rrethanat kur ka dyshime të qarta për falsifikim dhe mashtrim me dokumente zyrtare, OE i shpallur fitues duhet të përjashtohet nga tenderi dhe të futet në listën e zezë, ndërsa AK duhet të japë përgjegjësi për mosveprimin në përputhje me ligjin. /Demokracia.com/