Pakot e fletëvotimeve me postë për zgjedhjet e 28 dhjetorit do të vonohen së paku deri në nëntë ditë si pasojë e vonesave që do të shkaktojnë festat e fundvitit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka planifikuar që tërheqja e shumicës së pakove me fletëvotime të qytetarëve të Kosovës të regjistruar për votim nga jashtë, të bëhet më 2 janar.
Por, shërbimet postare në pothuajse të gjitha shtetet perëndimore evropiane – në të cilat është regjistruar numri më i madh i votuesve nga jashtë – është jofunksional atë ditë për shkak të festave të fundvitit.
Kësisoj, tërheqja e pakove me fletëvotime është paraparë të bëhet “në ditën pasuese të punës”, që i bie të jetë data 5 janar 2026, rreth tetë ditë pas datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.
Në rastin më të mirë, pakot e fletëvotimeve do të mbërrinin në Qendrat e Numërimit të Votave në Kosovë një ditë më vonë.
Vonesat në rikthimin e pakove me fletëvotimeve nga votuesit i ka pranuar tërthorazi edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i tha të mërkurën Paparacit se tërheqja e pakove mund të bëhet më 5 janar 2026.
“Duke marrë parasysh festat e fundvitit, të cilat mund të shkaktojnë vonesa në procesimin e kthimit të pakove me fletëvotime nga votuesit, tërheqja e pakove me fletëvotime nga kutitë postare të KQZ-së është planifikuar të bëhet më datë 02.01.2026. Në rastet kur në këtë datë shërbimet postare nuk funksionojnë për shkak të festave, tërheqja do të bëhet në ditën pasuese të punës“, thuhet në përgjigjen e Elezit për Paparacin.
Dyshime për parregullsi në procesin e votimit jashtë Kosovës kishte pasur edhe në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Atë kohë ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ishte akuzuar se kishte vepruar në kundërshtim me rregulloren e KQZ-së për votimin jashtë Kosovës, duke i tërhequr personalisht votat me postë.
Sipas një raportimi të Gazetës ‘InFokus‘ ambasadori Berishaj i kishte tërhequr zarfet nga posta dhe i kishte dorëzuar ato në ambasadë, ani pse sipas ligjit e rregullores tërheqja e zarfeve duhet të bëhet vetëm nga personat e autorizuar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Ndaj Berishajt, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte nisur hetime nën dyshimet për keqpërdorim të procedurës së transportimit të votave të qytetarëve të Republikës së Kosovës në diasporë.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë në vazhdën e aktiviteteve për ruajtjen dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pas raportimeve lidhur me keqpërdorimet e mundshme të Ambasadorit M.B. rreth procedurës se transportimit të votimeve të qytetareve të Republikës së Kosovës në diasporë, për çka Prokurori i Shtetit ka filluar ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore nëse në raportimet në fjalë përmbushen elementet e ndonjë vepre penale që lidhet me procesin e zgjedhjeve, me qëllim të ruajtjes së këtij procesi”- thuhej në njoftimin Prokurorisë.
Ndërkaq, nga KQZ-ja kishin thënë se do të bëjnë vlerësimin për të parë nëse tërheqja e pakove është bërë sipas procedurave ligjore.
Sipas KQZ-së, tërheqja e dërgesave postare nga kutitë postare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dhe dërgimi i materialeve zgjedhore në përfaqësi diplomatike, duhet të bëhet përmes rrugëve tokësore nga zyrtarët e KQZ-së, me ndihmën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD).
Për zgjedhjet e 28 dhjetorit në procesin e votimit jashtë Kosovës janë regjistruar 57 mijë e 829 persona.
Deri më tani sipas KQZ-së të drejtën e votës e kanë ushtruar rreth 18 mijë votues, ndërsa procesi i votimit mbetet i hapur deri më 27 dhjetor.













