Ruzhdi Zeqiri, aktualisht anëtar i Bordit të Drejtorëve të Trainkos, një ndërmarrje publike që auditohet çdo vit nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), është punësuar në të njëjtin institucion në pozitën Analist për Planifikim dhe Raportim. Ky rast ngre dyshime për konflikt interesi dhe përbën një sfidë për standardet e pavarësisë profesionale që duhet të karakterizojnë ZKA-në, shkruan Demokracia.com.
ZKA kishte hapur konkurs për Analist për Planifikim dhe Raportim në shtator 2025. Më 26 shtator ishte publikuar lista e ngushtë, dhe më 22 tetor fitues me 78.58 pikë kishte dalë Ruzhdi Zeqiri.

Bazuar në deklarimin e pasurisë që Zeqiri e ka bërë në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), si zyrtar i lartë ai ka shkruar se është emëruar anëtar i Bordit të Trainkos më 10.01.2024.

Deklarimi në Agjenci është bërë më 9 mars 2025, ku ai ka shënuar se të ardhurat nga Trainkos i ka 6,300 euro në vit, si kompensim për punën në bord. Pastaj ka deklaruar 3,003 euro në vit të hyra nga konsulenca me Bankën Botërore dhe ka deklaruar 33,155.16 euro pagë neto përmes listës së pagave të DAI Global.
Ndërkohë, DAI Global është një kompani private ndërkombëtare e zhvillimit (development company), me seli në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar, e cila kontraktohet nga qeveri, institucione ndërkombëtare dhe donatorë (si USAID, EU, UKAID etj.) për të implementuar projekte zhvillimore.
Bazuar në kriteret e konkursit të ZKA-së, detyrat dhe përgjegjësitë e Analistit për Planifikim dhe Raportim janë të qarta:
• Nën udhëzimet e drejtpërdrejta të drejtorit, kryen analiza të Ligjit për Ndarjet Buxhetore dhe analiza të të dhënave të tjera, të cilat i dorëzon te ekipet e auditimit dhe ekipi që auditon Raportin Vjetor të Auditimit;
• Mbledh të dhënat e nevojshme për ekipet e auditimit, veçanërisht raportet periodike mbi buxhetin, të hyrat, shpenzimet dhe raportet e tjera, si dhe kryen analizën dhe selektimin e tyre sipas nevojave të auditimit;
• Të dhënat e përpunuara i dërgon te drejtori me përmbledhje për nevojat e menaxhmentit;
• Në koordinim me përgjegjësin kryesor për hartimin e RVA-së, ndihmon ekipin e auditimit me analiza të ndryshme;
• Kryen edhe detyra të tjera nga mbikëqyrësi i fushës përkatëse;
• Raporton rregullisht për rezultatet dhe ndikimin e punës.
Demokracia.com ka kërkuar sqarime nga Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) nëse një anëtar i bordit të një ndërmarrjeje publike mund të ushtrojë njëkohësisht edhe pozitë profesionale në një institucion tjetër publik, siç është ZKA, e cila auditojnë ndërmarrjet publike, përfshirë edhe Trainkos-in.
Në përgjigjen e saj, AKK thekson: “Duke u bazuar në të dhënat e paraqitura dhe duke marrë parasysh kuadrin ligjor në Kosovë, mund të jepet përgjigje e përgjithshme në lidhje me konfliktin e interesit për një zyrtar të lartë që mund të jetë anëtar i një bordi publik. Sipas Nenit 13, paragrafi 2 të Ligjit Nr. 08/L-112 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit (LPKI): ‘Zyrtari i lartë nuk mund të jetë anëtar i më shumë se një organi drejtues të ndërmarrjes në pronësi publike, shoqërisë aksionare me pronë publike si dhe organeve të institucioneve të tjera publike, përveç nëse parashihet ndryshe shprehimisht me ligj. Zyrtari i lartë, në cilësinë e anëtarit të organeve të përmendura në këtë paragraf, nuk ka të drejtë shpërblimi me pagesë, përveç të drejtës në kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit dhe shpenzimeve të tjera të lidhura me të”.
Agjencia shton se ekziston edhe një kufizim “konflikt rast pas rasti”, ku zyrtari nuk mund të ketë detyra auditimi ose mbikëqyrjeje për institucionin në të cilin ka funksion drejtues.
Përveç LPKI-së, zyrtari duhet të respektojë edhe rregullat e brendshme të ZKA-së, të cilat mund të përcaktojnë ndalesa shtesë për parandalimin e konfliktit të interesit.
Kjo do të thotë se AKK e sheh si të mundshëm konfliktin e interesit kur një zyrtar i caktuar mbulon një institucion që është objekt auditimi, edhe nëse ai nuk merr vendime financiare për të.
Pra, AKK ka dhënë tri pika kryesore:
- A) Zyrtari i lartë nuk mund të jetë anëtar i më shumë se një organi publik – kjo nuk lidhet me rastin Zeqiri.
B) Zyrtari nuk ka të drejtë shpërblimi në bord – sërish jo thelbësore për këtë rast.
C) Ekziston kufizimi që ndalon detyrat në auditim për institucionin ku ai ka funksion drejtues – kjo është pika kyçe.
Në këtë rast, Zeqiri është anëtar bordi në Trainkos, ndërsa ZKA auditojnë Trainkos-in çdo vit. Pozita e tij e re te ZKA është një pozitë që mbështet drejtpërdrejt auditimet përmes analizave, të dhënave dhe dokumenteve. Pra, ekziston mundësi e konfliktit të interesit.
Demokracia.com i është drejtuar të mërkurën paradite me pyetje ZKA-së për dy çështje, njëra prej të cilave lidhet me Zeqirin. Institucioni ka konfirmuar se ka pranuar pyetjet, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka dhënë përgjigje.

Po ashtu, Demokracia.com ka adresuar pyetje në emailin e zotit Zeqiri. As ai nuk ka kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Nga ana tjetër, ligji përcakton qartë se Auditori i Përgjithshëm është i pavarur nga ana funksionale, financiare dhe operative dhe nuk duhet t’i nënshtrohet ndikimit të askujt. Neni 15 i Ligjit të ZKA-së përcakton se stafi i ZKA duhet të jetë profesional, i kualifikuar dhe i pavarur në ushtrim të funksionit.
Megjithatë, Auditorja e Përgjithshme ka punësuar një person për detyra profesionale në departamentin e planifikimit, strategjisë dhe analizës, një anëtar të bordit publik, i emëruar nga qeveria Kurti.
Edhe Ligji Nr. 05/L-055 për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit, neni 17 – Mospërputhshmëritë, e ndalon qartë këtë veprim:
- Punonjësit nuk ushtrojnë funksione apo aktivitete, ose mbajnë pozita që përbëjnë konflikt interesi me detyrat e zyrtarëve dhe:
1.1. Nuk mban ndonjë funksion tjetër në cilindo nivel të sektorit publik;
1.2. Nuk është anëtar i bordeve drejtuese të kompanive publike ose private.
Megjithatë, duket se Auditoren e Përgjithshme Vlora Spanca nuk e ka penguar ky fakt, pasi Zeqirit i është dhënë kontratë pune në kohë të pacaktuar si zyrtar për raportim dhe analiza. /Demokracia.com/











