Dyshime për favorizim: Motra e Presidentes me licencë avokatie pa përvojë të mjaftueshme

Për t’u licencuar si avokat në Odën e Avokatëve të Kosovës, sigurisht që duhet të ndiqen disa procedura dhe duhet plotësuar disa kushte. Në momentin që bëni aplikimin për avokat, ju obligoheni që të bashkangjitni vërtetimin që nuk jeni në marrëdhënie pune së bashku me Deklaratën për mosekzisitimin e marrëdhënies së punës që është në kundërshtim me profesionin e avokatit.

 

Kjo deklaratë, pra vërtetimi i papunësisë, që tregon se ju jeni të papunë në momentin e aplikimit për tu licencuar si avokat, duhet të jetë dokument zyrtare që lëshohet nga Agjencia e Punësimit të Republikës së Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar edhe vet Oda e Avokatëve të Kosovës, ku në një përgjigje për Gazetën Nacionale të datës 15 tetor të këtij viti, thuhet se përveç dokumenteve të tjera të kërkuara, gjatë aplikimit për licencim si avokat kërkohet edhe “Deklarata apo Vërtetimi i Papunësisë”, e cila merret në Agjencinë e Punësimit.

Por, si duket këto kushte vlejnë vetëm për dikë, ndërsa ka raste kur bëhen përjashtime si në rastin e Blinera Osmanit, motrës së presidentes Vjosa Osmani.

Emri i Blinera Osmanit ekziston në listën e avokatëve të licencuar të Odës së Avokatëve, pra e njëjta ushtron profesionin e avokates me licencë, por në bazë të hulumtimit të Gazetës Nacionale, e njëjta nuk e ka dorëzuar në Odën e Avokatëve asnjëherë “Deklaratën apo Vërtetimin e Papunësisë”.

Gazeta ka kërkuar qasje në dokumente publike nga Agjencia e Punësimit, ku kemi siguruar kërkesën e Blinera Osmanit ndaj kësaj Agjencie për t’u pajisur me vërtetim për mos ekzistim të Marrëdhënies së Punës.

Kërkesa e Blinera Osmanit i është dërguar Agjencisë për Punësim më datë 18 korrik të vitit 2023.

Më 21 korrik të atij viti, Agjencia për Punësim i kishte kthyer përgjigje Blinera Osmanit duke i refuzuar kërkesën për pajisje me Deklaratën e Papunësisë, pasi që e njëjta, sipas vlerësimit të Zyrës së Punësimit është konstatuar se nuk është dhe nuk kishte qenë asnjëherë e regjistruar si e papunë apo që në mënyrë aktive ka kërkuar punë në Zyrën e Punësimit në Prishtinë, prandaj nuk mund t’i lëshohej Deklarata e Papunësisë.

Në përgjigjen e Agjencisë së Punësimit gjithashtu theksohet se përmes provave të gjeneruara nga sistemi i ARBK-së, është konstatuar se Blinera Osmani është pronare dhe përfaqësuese e autorizuar në dy biznese, ndërsa në një biznes është përfaqësuese e autorizuar.

Kjo ishte vërtetuar nga Zyra e Punësimit më 18 korrik, ku ishte konstatuar se në biznesin “First Legal Solution SHPK”, Blinera Osmani është pronare ose aksionare dhe mban pozitën “Drejtor”.

Në biznesin “Pirraci-U6- Dega në Kosovë”, Blinera Osmani ishte konstatuar se mban pozitën “Agjent i Regjistruar”, ndërkaq në biznesin “BO Legal Consulting SHPK”, Blinera Osmani mbante pozitën e Drejtorit Menaxhues.

Të tre bizneset e përmendura, sipas konstatimit të Agjencisë së Punësimit ishin aktive në momentin e verifikimit, ndërsa sipas regjistrit të siguruar nga ATK-ja, figuronte që Blinera Osmani ka pranuar pagë primare nga biznesi “BO Legal Consulting SHPK” që nga muaji janar i vitit 2022, deri në muajin qershor të vitit 2023.

Si përfundim, kjo Agjenci në bazë të Ligjit për Regjistrimin dhe Ofrimin e Shërbimeve për të Papunët, Punëkërkuesit dhe Punëdhënësit kishin ardhur në përfundim që Blinera Osmanit nuk mund t’i ofrohej Deklarata e Papunësisë.

Gazeta Nacionale, pas përgjigjes së parë të marrë nga Oda e Avokatëve, ka kërkuar sqarime shtesë se si i ishte mundësuar licencimi Blinera Osmanit si avokate, pa e plotesuar dokumentacionin, pra pa letrën që të duhet e që nuk i është lushuar kurrë, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Në anën tjetër, Blinera Osmani në një përgjigje për Gazetën Nacionale të datës 17 tetor, ka mohuar të gjitha pretendimet, por që nuk e ka konfirmuar nëse e ka marrë Deklaratën e Papunësisë nga Agjencia për Punësim, apo jo.

“Më lejoni të theksoj se gjatë gjithë procesit të aplikimit për licencim si avokate, kam respektuar në mënyrë të plotë të gjitha kriteret dhe procedurat e përcaktuara nga legjislacioni në fuqi dhe nga rregulloret e Odës së Avokatëve të Kosovës. Që nga viti 2021, unë nuk kam qenë në marrëdhënie pune në kuptimin juridik të këtij termi, pra nuk kam pasur kontratë pune me asnjë punëdhënës. Në përputhje me këtë fakt, gjatë aplikimit tim kam paraqitur të gjitha dëshmitë përkatëse që provojnë mungesën e marrëdhënies së punës, siç kërkohet nga Oda dhe nga dispozitat e zbatueshme ligjore. Është e rëndësishme të sqarohet se, sipas Ligjit të Punës dhe praktikës juridike në fuqi, marrëdhënia e punës krijohet vetëm përmes një kontrate pune të lidhur ndërmjet punëdhënësit dhe punëmarrësit. Prandaj, pronesia në aksione në një shoqëri tregtare nuk përbën marrëdhënie pune dhe nuk krijon asnjë nga efektet juridike të saj. Të qenët aksionar në një subjekt juridik nuk mund të interpretohet si punësim, as në aspektin ligjor e as në atë material, pra është njëjtë sikurse zotërimi i një prone të paluajtshme që nuk përbën marrëdhënie pune. Zotërues i pronës pra, nuk është marrëdhënie pune. Në rastin konkret, asnjë nga pronësitë e mia në aksione nuk ka qenë e natyrës së punësimit. Si rrjedhojë, nuk ka ekzistuar asnjë pengesë ligjore apo faktike që të më ndalonte licencimin si avokate. Komisioni për licencim pranë Odës së Avokatëve të Kosovës, pas shqyrtimit të plotë të dokumentacionit dhe verifikimeve përkatëse, ka aprovuar kërkesën time në përputhje të plotë me kriteret dhe normat ligjore në fuqi, çka dëshmon qartësisht korrektësinë dhe transparencën e procesit. Duke qenë se pyetjet tuaja lidhen me çështje që prekin integritetin profesional dhe reputacionin tim, shpresoj që kjo përgjigje t’ju ndihmojë të pasqyroni saktë dhe drejt fakte e rrethana të verifikuara ligjërisht. Për të qenë plotësisht e qartë dhe korrekte, dëshiroj të theksoj gjithashtu faktin se në kohën e aplikimit dhe licencimit tim si avokate pranë Odës së Avokatëve të Kosovës, nuk kam zotëruar asnjë pronësi në aksione të ndonjë kompanie”

Si përfundim, i mbetet organeve kompetente dhe të përfshira në rast që të vlerësojnë nëse janë bërë shkelje gjatë procedurës së lincecimit për Blinera Osmanin si avokate në Odën e Avokatëve, ndërkaq sipas asaj që Gazeta Nacionale ka mësuar, Agjencia e Punësimit nuk ka lëshuar asnjëherë Deklaratë të Papunësisë për ata që nuk kanë plotësuar kushtet, ndërkaq Oda e Avokatëve gjithmonë është bazuar në dokumentet zyrtare, kështu që një rast i tillë, mund të konsiderohet ndoshta edhe si i paprecedentë.