Janë bërë dy vite nga marrëveshja për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Marrëveshja e cila njihet si plani Franko-Gjerman, e cila parasheh, pranimin e simboleve kombëtare dhe respektimin e integritetit territorial, anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, por edhe çështje të tjera, do duhej të normalizonte raportet mes palëve.
Për të siguruar ujdinë liderët u pajtuan edhe për Aneksin e Zbatimit gjatë një takimi në Ohër të Maqedonisë së Veriut, më 18 mars, 2023.
Por, hapa drejt prishjes së marrëveshjes u bënë në terren.
Më 24 shtator të vitit 2023 ndodhi sulmi terrorist i organizuar nga kryeterroristi, Millan Radojiçiq, ku mbeti i vrarë rreshteri, Afrim Bunjaku.
Ndërkaq nëntorin e vitit, 2024 ndodhi sulmi në kanalin Iber-Lepenc.
Ish-diplomati, Sylë Ukshini thotë se peng i zbatimit të marrëveshjes është letra e dërguar në BE nga ish-kryeministrja, Ana Bernabiq.
“Letra e ish-kryeministres se atëhershme Bernabiq, tregon se Serbia nuk ka hequr dorë dhe se Bashkimi Evropian e njeh pozicionin e Serbisë që Serbia ta quaj Kosovën si territor të saj, dmth ka mbet ajo në sistem, dhe letra serbe nuk është gjë tjetër vetëm se kopje e modelit që ka përdorur pala gjermano perëndimore. Unë mendoj se te ne është e kundërta dhe unë mendoj që janë bërë disa gabime në anën tjetër, tek ne nuk po përmendet, unë mendoj se po ta kishte seriozisht Bashkimi Evropian, marrëveshja është dashtë të dërgohet dhe të deponohet në OKB”, thotë ai.
Sipas tij, Serbia në dialog ka hyrë vetëm për t’a vendosur Kosovën si zonë konflikti.
“Serbia ka hyrë në dialog vetëm për ta prolonguar procesin dhe për të krijuar situatë se Kosova është një konflikt. Serbia nuk është e interesuar për marrëveshje sepse Serbia është pjesë e sistemit ndërkombëtar dhe se ideja e Serbisë është që ta vonoj Kosovën sa më gjatë. Në anën tjetër dobësia e dialogut është që nuk ka afatizim, te gjitha marrëveshjet sillën rreth një asociacioni në anën tjetër nuk duhet të harrojmë. Serbia po merr krejt çfarë i nevojitet”, shprehet Ukshini.
Televizioni teve1.info ka dërguar pyetje në Qeverinë e Kosovës dhe Bashkimin Evropian, por deri në publikim e kësaj kronike, nuk kanë kthyer përgjigje.