Të enjten e 27 shkurtit 2025 u bën plot dy vjet prej kur Kosova dhe Serbia u dakorduan për Marrëveshjen për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, derivat i propozimit franko-gjerman. Që nga ajo kohë deri më sot e njëjta po çalon në zbatim.
Për analistin politik, Petrit Zogaj, me këtë ritëm Marrëveshja Bazë dhe Aneksi i Zbatimit të saj mund ta kenë fatin e marrëveshjeve të kaluara.
“Marrëveshja e Brukselit dhe Plani i Zbatimit, tash pas dy vjetëve i ngjan më shumë Marrëveshjeve që janë nënshkruar para 12 vjetëve, pra dokumente thuajse të vdekura dhe të cilat vështirë që do të rikthehen në tavolinë në formën siç janë nënshkruar”, thotë ai për Albanian Post.
Këtë, Zogaj, e argumenton në katër pika – nga rizgjedhja e Donald Trump deri te përpjekjet e Bashkimit Evropian për t’u përshtatur me politikat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Në SHBA-të ka një administratë të re, të paparashikuar, me tone të tjera diplomatike, pa konsideratë për narracionet lokale, dhe që kërkon rezultate të menjëhershme. Në anën tjetër BE-ja dhe shtetet e tjera jashtë saj janë në një përpjekje për të parë se si të përshtaten me administratën Trump, duke kërkuar që të mbrojnë interesat e tyre brenda kontinentit”, shpjegon ai.
Serbia në anën tjetër, potencon Zogaj, po shpreson se nga një çarje e raporteve SHBA-BE të fitojë avantazh me ripozicionim përkitazi me Marrëveshjet, duke shpresuar në një mirëkuptim nga administrata Trump.
Ndërkohë Kosova, beson ai, është e kurthuar në Veriun e vendit të banuar me shumicë serbe.
“Situata në Veri të Kosovë, në pamje të parë ka ndryshuar, pra duket e qetë, me strukturat paralele serbe që po mbyllen, megjithatë situata atje mbetet e tensionuar dhe me potencial për shpërthim”, shton ai.
Duke analizuar situatën aktuale gjeopolitike në botë, Zogaj vlerëson gjithashtu se BE-ja si ndërmjetësuese e procesit nuk ka asnjë fuqi që të ndikojë te palët për zbatim të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit.
“Pikërisht këtu qëndron problemi, përderisa në vitin 2023 kishte një urgjencë brenda BE-së që Kosova dhe Serbia të gjenin një rrugë pajtimi, përballë asaj që po ndodhte në Ukrainë, sot kjo situatë nuk duket aspak prioritet”, thotë ai.
Për ironi, Kosova dhe Serbia, beson Zogaj, sot janë më larg njëra-tjetrës në krahasim me periudhën kur kjo Marrëveshje u dakordua mes tyre.
“BE-ja duket më pak e fuqishme që të bëjë presion më të madh mbi palët, sesa kishte para dy vjetëve. Zgjedhjet brenda BE-së, brenda shteteve anëtare, ndryshimet në strukturat e BE-së, për pasojë edhe ndryshimet në lidershipin për ndërmjetësim, ka bërë që raportet Kosovë – Serbi të përkeqësohen edhe më shumë”, pohon ai.
Marrë parasysh ndryshimet në kontekstin ndërkombëtar me ardhjen e Trump në Shtëpinë e Bardhë, diplomati kosovar, Blerim Canaj, në anën tjetër, nuk përjashton mundësinë që Kosova e Serbia të ballafaqohen me situata të reja.
Në këtë premisë Canaj ka arritur nga takimi jo i zakonshëm e të tensionuar që Donald Trump të premten zhvilloi me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
“Në këtë takim Zelensky-it iu përmend qëndrimi i tij i hapur kundër fitores së Trump, pamë edhe qasjen e Trump në raport me palët”, thotë ai për AP.
Andaj ai sugjeron që autoritetet kosovare të marrin si shembull këtë takim aspak diplomatik.
“Kushdo që mund të jetë pushtetari, do të ballafaqohet me situata të papritura në një fushë pothuaj të panjohur me tendencë të një rendi të ri ndërkombëtar! E për këtë natyrisht që në skenë duhet të kemi akter të përgatitur politik të cilët din dhe janë në gjendje të i lexojnë situatat e reja me rrethanat e rreja të krijuara dhe që din pastaj të shfrytëzojnë momentumet politike në të mirë të vendit”, shton Canaj.
Kosova po insiston në nënshkrimin e marrëveshjes si garanci për zbatimin e saj, ndërkohë Serbia vlerësoi se marrëveshja konsiderohet e pranueshme për ta “vetëm në një kontekst që nuk ka të bëjë me njohjen de facto dhe de jure të Kosovës”.
Me këtë ujdi, Kosova, mes tjerash, u obligua ta formonte Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, ndërsa Serbia të mos e bllokonte anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Gjë që asnjëra prej tyre nuk ndodhi.
Neni 4 i Marrëveshjes Bazë thoshte se “Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”. Megjithatë Beogradi zyrtar veproi kundër sugjerimeve të këtij neni, duke u deklaruar në disa raste kundër anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ose duke votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Neni 7 i Marrëveshjes Bazë parashihte që komunitetit serb në Kosovë t’i sigurohet “nivel i duhur i vetëmenaxhimit dhe aftësi për të ofruar shërbime në fusha të caktuara, përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi me Qeverinë e Kosovës”. As ky nen nuk u zbatua në tërësi nga ana e autoriteteve kosovare, ndonëse Qeveria aktuale pranoi draft-statutin evropian për Asociacionin, i propozuar në tetor të vitit 2023 nga Pesëshja e Madhe – Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania dhe Italian.
Kurti, refuzoi ta dërgonte atë draft-statut për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, ndonëse fillimisht e cilësoi si “të mirë” dhe “pakrahasimisht më të avancuar” dhe garantonte se nuk është “Zajednica” e vitit 2013 e 2015. Sipas tij ai ishte shkruar me kujdes për “germën e Kushtetutës” dhe se e “ndërpriste trashëgimin e mos-njohjes” së Serbisë.
Marrëveshja parashikonte, gjithashtu, të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektimin e integritetit territorial dhe paprekshmërinë e kufijve, njohjen e simboleve shtetërore dhe hapjen e përfaqësive diplomatike të Kosovës dhe Serbisë në selitë e qeverive të këtyre vendeve.