Kthimi në vendin e tyre do të nënkuptonte vdekjen e sigurt, thotë një organizatë e dezertorëve.
Dy ushtarë nga Koreja e Veriut, të kapur gjatë luftimeve në Ukrainë, kanë refuzuar të kthehen në atdhe dhe kanë kërkuar azil në Korenë e Jugut.
Lajmi është raportuar nga agjencia AFP, duke cituar kreun e një organizate që ndihmon dezertorët koreanoveriorë.
Sipas autoriteteve në Seul, Kushtetuta e Koresë së Jugut i konsideron të gjithë koreanoveriorët si shtetas të saj, pavarësisht nëse jetojnë në veri, apo kanë luftuar në anën e Rusisë. Kjo dispozitë ligjore mund t’u hapë rrugën dy ushtarëve të kërkojnë mbrojtje zyrtare në jug.
Kthimi në Korenë e Veriut do të ishte praktikisht një dënim me vdekje. Ligjvënës të Seulit kanë deklaruar se regjimi i Kim Jong-unit u ka urdhëruar trupave të tij që të vetëvriten nëse kapen robër – një urdhër që nënvizon frikën dhe kontrollin absolut të regjimit ndaj çdo akti që mund të shihet si tradhti.
Prania e trupave koreanoveriore në fushën e luftës në Ukrainë ka shkaktuar shqetësim ndërkombëtar. Seuli dhe aleatët e tij e akuzojnë Phenianin se po thellon bashkëpunimin ushtarak me Moskën, në kundërshtim me sanksionet e Kombeve të Bashkuara.



															








