Dy të arrestuar në Prishtinë, u kapën me kokainë dhe mbi 13 mijë euro – u sulmuan edhe policët

Njësia për Reagim të Shpejtë gjatë një pike të rregullt kontrolli gjatë së martës në Prishtinë, ka ndaluar një automjet me targa të huaja me drejtues mashkull kosovar dhe pasagjerin mashkull shtetas i huaj.

Sipas njoftimit të policisë, pasi njësia e lartcekur ka kërkuar realizimin e një kontrolli rutinor, i dyshuari mashkull shtetas i huaj ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes, mirëpo si rezultat i reagimit profesional policor i njëjti është ndaluar nga njësia policore.

I dyshuari gjatë tërë kohës ka rezistuar në mënyrë agresive duke i sulmuar zyrtarët policorë dhe tek i njëjti gjatë arrestimit janë gjetur dy paketime të mbështjella të mbushura me pluhur ngjyrë të bardhë të dyshuar si substancë narkotike e llojit kokainë pesha e përgjithshme e së cilës arrin rreth 2 kilogramë e 270.6 gramë.

Përveç substancës së dyshuar narkotike pas kontrollit tek të dyshuarit në vendngjarje janë gjetur edhe 13 mijë e 550 para të gatshme, dhe një telefon mobil.

“Lidhur me rastin në vendngjarje ka dalë edhe Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë si dhe është njoftuar edhe prokurori kompetent, me urdhër të të cilit është kryer kontroll edhe tek shtëpia e të dyshuarit shtetas kosovar mirëpo nuk është gjetur diçka e dyshuar”, thotë policia tutje.

Të dyshuarit pas intervistimit me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë./Klankosova.tv