Dy punëtorë të Trepçës u lënduan mbrëmë në vendin e punës

Mbrëmë dy punëtorë të Trepçës janë lënduar në vendin e tyre të punës në horizontin X-të.

Incidenti ka ndodhur gjatë fryerjes së gomës së kamionit e cila ka shpërthyer dhe pluhuri i saj u ka shkaktuar lëndime në sy, bëhet e ditur në njoftimin e Trepçës në Facebook.

“Pas incidentit të dy punëtorëve iu është dhënë ndihma e parë, pastaj janë dërguar në spitalin regjional në Mitrovicë dhe pas trajtimit mjekësor janë liruar në shtëpi”, thuhet në njoftim.

Trepça Sh.A., me të marrë informacionin për lëndimin e punëtorëve zyrtarisht e ka njoftuar inspektoratin e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM).

“Po ashtu, është formuar Komisioni i Brendshëm i Trepça Sh.A., i cili ka shkuar në vendin e ngjarjes për të bërë vlerësimin e situatës dhe është në përgatitje të raportit zyrtar”, vijon njoftimi.