Dy poste në komunë, një dashuri në biznes: “Lina&Kim” SHPK

Bekim Brestovci, drejtori që gëzon privilegjin të udhëheqë dy pozita njëherësh në Komunën e Prishtinës, atë të Inspektoratit dhe të Shërbimeve Publike  ka vendosur ta zgjerojë aktivitetin e tij edhe në sektorin privat. Dhe këtë herë, jo vetëm si biznesmen, por edhe si burrë i dashuruar, shkruan Demokracia.com.

Sipas dokumenteve zyrtare të siguruara nga Demokracia.com, Brestovci ka hapur një kompani të re në janar të këtij viti. Emri i saj është po aq romantik sa edhe simbolik: Lina&Kim Consulting SHPK. Siç kuptohet lehtë, “Lina” vjen nga pseudonimi i të dashurës së tij, Angelina Shala, ndërsa “Kim” është shkurtimi i emrit të tij, Bekim.

Në këtë mënyrë, Brestovci ka vendosur që dashurinë ta kurorëzojë në mënyrën më institucionale të mundshme, përmes një biznesi që ofron “këshillime për biznese dhe menaxhim të përgjithshëm”. Edhe pse është ende aktiv si zyrtar i lartë komunal, ai nuk e ka parë si pengesë për të hyrë në tregun e konsulencës.

Brestovci figuron edhe si aksionar në disa biznese të tjera, por ky është rasti i parë që një emër biznesi përzien dashurinë dhe menaxhimin në të njëjtën fjali. /Demokracia.com/