Gjykata Themelore në Prishtinë i ka shpallur fajtorë Zoran Kostiqin dhe Dragan Milloviqin për krim lufte në bashkëkryerje.
Kostiqi është dënuar me 15 vjet, ndërsa gjykata e ka dënuar Dragan Milloviqin me 7 vjet burg për krim lufte kundër popullsisë civile në zonën e Vushtrrisë në vitin 1999, gjatë kohës së konflikteve të armatosura në Kosovë, transmeton Paparaci..
Të pakënaqurit kanë të drejtë ankese ndaj aktgjykimit.
Prokurorja Florije Shamolli e ka ngarkuar Kostiqin për vrasjen e familjes Ujkani në fshatin Reznik, djegien e pasurisë së tyre, rrahjen e dy civilëve shqiptarë, nga të cilët njëri më vonë është vrarë.
Ajo e ka akuzuar Dragan Milloviqin se është fajtor për keqtrajtim dhe maltretim të shqiptarëve në rrethinën e Vushtrrisë.
Kostiqi dhe Milloviqi janë arrestuar më 20 shtator 2023, së bashku me Illija Ellezoviqin, i cili ndërkohë ka vdekur.
Aktakuza ndaj tyre është ngritur në maj të vitit 2024, ndërsa gjykimi ka filluar në dhjetor të vitit të kaluar./Paparaci.com










