Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Përgjithshëm, njofton opinionin publik se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj- Dega në Kaçanik, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarve me iniciale M.B., dhe M.B., nga fshati Bllacë, Republika e Maqedonisë së Veriut (shtetas të Kosovës) për shkak të dyshimit të veprave penale “Kontrabandim me mallra” dhe “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se 26 shkurt 2025, rreth orës 21.00, me dashje në bashkëkryerje, të njëjtit, kanë tentuar të kalojnë vijën kufitare nga Republika e Kosovës për në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në atë mënyrë që kanë shmangur kontrollin doganorë, ashtu që me veturën “VW Sharan”, ngjyrë e zezë, në të cilën kanë pas të ngarkuara mallra të ndryshme- veshmbathje, mirëpo në fshatin Krivenik, 200 m pa mbërri tek vija kufitare, janë vërejtur nga policia të cilët kanë arritur që ti ndalin, me këtë do të kryenin veprën penale ‘Kontrabandimi i mallrave në tentativë dhe bashkëkryerje’.
“Po ashtu, ekziston dyshimi i bazuar se me datë, kohë dhe vend të njëjtë, në bashkëkryerje me dashje dhe me forcë kanë penguar personat zyrtar – zyrtarët policor në lidhje me detyrat e tyre zyrtare, në atë mënyrë që derisa personat zyrtarë ishin duke kryer detyrat e tyre në një pikë vëzhgimi afër vijës kufitare Republika e Kosovës për në Republikën e Maqedonisë së Veriut, kanë vërejtur të pandehurit me veturën ‘VW Sharan’ duke kaluar vijë kufitare, dhe i kanë sinjalizuar që të ndalen, mirëpo të njëjtit nisin veturën me vrull me qëllim për ta goditur zyrtarin policor A.Rr., që ishte jashtë veturës, i cili detyrohet që të përdorë armën e tij zyrtare në vetëmbrojtje, duke bërë që vetura të merr drejtim tjetër të ikjes, ashtu që zyrtarët i vihen pas në ndjekje dhe arrijnë që të ndalin veturën e të pandehurve”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se të pandehurit gjatë arrestimit kanë rezistuar duke sulmuar zyrtarët policor, me ç’ rast tretman mjekësor për shkak të lëndimeve kanë marr zyrtarët A.R dhe Sh.M, me të cilën do të kryenin veprën penale në bashkëkryerje “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”.
“Të pandehurit M.B., dhe M.B., që nga data 26 Shkurt 2025, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh për veprat penale të lartëcekura”, thuhet ndër të tjera në njoftim.