Dy palestinezë të arrestuar për falsifikim parash në Kaçanik, njëri kapet me një të mitur

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka ndaluar për 48 orë dy palestinezë, të cilët dyshohet se merreshin me falsifikim parash.

Ata fillimisht ishin arrestuar pasi në një pikë karburantesh në Prelez të Jerlive kishin përdorur kartëmonedhën false prej 20 eurove.

“Me datën 06.02.2026, rreth orës 19:30, në fshatin Prelez i Jerlive në Ferizaj, te një pompë e derivateve, është raportuar një rast i dyshuar i përdorimit të kartëmonedhës së falsifikuar në vlerë prej 20 euro. Patrulla policore ka identifikuar tre të dyshuar: Sh. V. (27 vjeç) shtetas i Kosovës dhe dy shtetas palestinezë, N. Z. (30 vjeç) dhe M. O. (28 vjeç). Gjatë kontrollit janë sekuestruar një sasi e vogël substance të dyshuar narkotike, dy mulli dhe kartëmonedha e dyshuar”, thuhej në njoftimin e policisë.

Me urdhër të prokurorit të shtetit, janë iniciuar rastet “Falsifikim i parasë” dhe “Posedim i paautorizuar i narkotikëve”. Dy shtetasit e huaj janë ndaluar për 48 orë, ndërsa Sh. V. është liruar pas intervistimit.

“Me datën 07.02.2026, gjatë hetimeve, është identifikuar banesa me qira e të dyshuarve në Ferizaj, ku janë gjetur dhe sekuestruar dokumente identifikimi të shteteve të tjera. Po ashtu, është konstatuar se M. O, kishte urdhërarrest ndërkombëtar, ndërsa ishte shoqëruar nga e mitura kosovare A. T. (17 vjeçe). Gjatë kontrollit në banesën e saj në Kaçanik janë gjetur 39 kartëmonedha prej 50 dollarësh amerikanë të dyshuara si të falsifikuara, një sasi e vogël e narkotikëve dhe dokumente të huaja. Substanca narkotike i përkiste E. D. (19 vjeçe)”, thuhej më tej.

“Të gjitha veprimet janë kryer në koordinim me Njësitin e Hetimeve të Kufirit dhe Prokurorinë Themelore në Ferizaj. E mitura është intervistuar në prani të prindit dhe avokatit, ndërsa ajo dhe E. D. janë liruar për procedura të mëtejme”, thuhej në njoftim.

Hetimet janë duke vazhduar deri në kompletimin e rastit.