Pas Kenias, edhe Republika e Sudanit ka njohur zyrtarisht pavarësinë e saj — dy njohje brenda më pak se tre javësh, duke nisur kështu një valë të re njohjesh nga shtetet e kontinentit afrikan.
Por, ndërsa lajmi na u bë i ditur me plot entuziazëm nga Presidentja Vjosa Osmani, Qeveria e Kosovës po qëndron në heshtje.
“Sudani njeh Republikën e Kosovës!
Urime të gjithë qytetarëve të shtetit tonë!”, shkroi zonja Osmani.
Kanë kaluar mbi dy orë nga momenti kur Presidentja publikoi një video në Facebook, krah ministrit të Jashtëm të Sudanit, duke bërë të ditur njohjen — por nga ana e Qeverisë në tyrë të drejtuar nga Albin Kurti, nuk ka asnjë reagim, asnjë fjalë, asnjë postim, transmeton nacionale.
Kujtojmë se ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, e cilësoi si sukses të saj dhe të Presidentes Vjosa Osmani njohjen nga Kenia më 26 mars – e para pas gati pesë vitesh, ndonëse kjo njohje ishte mundësuar dhe pranuar fillimisht nga ish-Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli.
Gërvalla u përpoq ta përjashtonte atë nga çdo rol apo kontribut në këtë proces, duke e personalizuar meritat:
“17 vjet pas Pavarësisë, në një ceremoni të jashtëzakonshme e të paharrueshme, Republika e Kenias – një nga shtetet më të rëndësishme të Afrikës – e njohu zyrtarisht Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran!” – kishte shkruar Pacolli.
“Mirëpresim vendimin e Republikës së Kenias për të njohur zyrtarisht Republikën e Kosovës, një lajm i rëndësishëm që thekson përparimin dhe forcimin e pozitës sonë në skenën ndërkombëtare dhe në kontinentin afrikan. 🇽🇰🤝🇰🇪
Nga takimi i parë që kemi pasur në vitin 2021 bashkë me Presidenten Vjosa Osmani me ish-Presidentin Uhuru Kenyatta, kemi parë rrugën graduale drejt njohjes reciproke.
Mezi presim ndërtimin e marrëdhënieve të mirëfillta diplomatike me Republikën e Kenias dhe fillimin e bashkëpunimit mes dy shteteve tona në fusha të ndryshme.” – shkroi Gërvalla më 26 mars.
Qeveria në detyrë e udhëhequr nga Albin Kurti është përballur në vazhdimësi me kritika gjatë këtyre katër viteve, për shkak të dështimit për të siguruar njohje të reja ndërkombëtare për Kosovën.