Dy muaj ngërç, Kuvendi nesër mblidhet në tentativën e 32-të për konstituim

Kuvendi i Kosovës  do të mblidhet nesër në një tentativë tjetër për konstituim. Pikërisht të dielën do të bëhen dy muaj që kur kanë nisur hapat për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës. Nga 15 prilli, kur ka filluar seanca konstituive, deri tash kanë dështuar 31 vazhdime të saj.

Kjo do të jetë seanca e 32-të çdo 48 orë që nga 15 prilli. Procesi ka ngecur te zgjedhja e Kryeparlamentarit, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Ngërçi nisi qysh në seancën e parë kur u formua komisioni i përkohshëm për verifikim të mandateve, por raporti nuk kaloi pasi që deputetë të partive që kishin qenë në opozitë s’e votuan. Ata s’pajtoheshin me mënyrën e dorëheqjes së anëtarëve të kabinetit qeveritar që ishin zgjedhur deputetë. Ky raport nuk kaloi as në seancën e dytë, duke kaluar tek në seancën e tretë kur deputetët edhe bënë betimin dhe Albulena Haxhiu u propozua nga VV për kryeparlamentare.


Ajo nuk arriti të marrë votat e mjaftueshme për kryeparlamentare, as në këtë seancë dhe as në pesë tjerat që pasuan, e ku u propozua sërish nga partia e parë.

Një ngërç tjetër nisi në seancën pasuese, kur Lëvizja Vetëvendosje propozoi që votimi për kryeparlamentar të jetë i fshehtë. Ky propozim është bërë për të disatën herë, deri në seancën e fundit, atë të së premtes.

Secilën herë kjo është kundërshtuar nga PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe, të cilat kanë refuzuar të propozojnë anëtarë Komisioni.

PDK dhe AAK i kanë kërkuar vazhdimisht VV-së që ta ndërrojë emrin, teksa janë përmendur edhe emra nga kjo parti që do të mund t’i votonin. LDK ndërkohë ka thënë se nuk do ta votojë asnjë propozim të kësaj partie.

Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë bërë të ditur se nuk heqin dorë nga emri i Albulena Haxhiut, si e propozuar për këtë pozitë. Sinjale po ashtu nuk ka se do të hiqet dorë nga propozimi për ndryshimin e formës së votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit. E propozuara për këtë pozitë, Albulena Haxhiu, në asnjë nga votimet s’ka arritur të marrë mbi 57 vota. Për t’u zgjedhur i nevojiten 61.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka vendosur të ndërmarrë hapa për të kërkuar zgjidhje për ngërçin në të cilin ka hyrë vendi. Ajo pritet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me synimin që të sqarohen mundësitë ligjore për tejkalimin e situatës aktuale.

Sipas këshilltarit të saj, Bekim Kupina, ekipi ligjor i Presidentes tashmë ka përgatitur një draft të lëndës që do t’i dorëzohet Gjykatës. Megjithatë, po pritet aktgjykimi për pranueshmërinë e kërkesës së dorëzuar nga AAK-ja, e cila pritet të ndihmojë në sqarimin e aspekteve procedurale të çështjes.

“Sa i përket Gjykatës Kushtetuese, ekipi ligjor Presidentes ka përgatitur një draft të lëndës që do të mund të adresohej në Kushtetuese, mirëpo jemi në pritje të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese rreth pranueshmërisë së kërkesës së dërguar nga AAK-ja, sepse kjo pastaj mund t’i sqarojë edhe çështjet e pranueshmërisë së një çështjeje që do të referohej nga Presidentja. Pra nuk është fjala për meritat e çështjes, por vetëm për anën procedurale, pra pranueshmërinë.”, ka thënë Kupina të martën për gazetën online Reporteri.net.

Presidentja ka mbajtur deri tani dy takime konsultative me liderët e partive politike, fillimisht më 15 maj dhe së fundmi për çështjen e organizimit të zgjedhjeve lokale.

Ajo ka ripërsëritur gatishmërinë për të zhvilluar takime të veçanta me çdo lider politik që ka interes për të diskutuar mbi konstituimin e Kuvendit.

Tashmë janë bërë mbi katër muaj kur Kosova ka mbajtur zgjedhjet parlamentare, në të cilat Vetëvendosje doli partia e parë, e pasuar nga PDK, LDK dhe AAK-NISMA./Reporteri.net/