Lëvizja serbe “Ne jemi forca e popullit” ka njoftuar se dy kongresmene amerikane, mes tyre edhe Claudia Tenney, i kanë dërguar një letër presidentit të SHBA-së, Donald Trump, në të cilën propozojnë njohjen e ndërsjellë mes Serbisë dhe Kosovës.
Siç thuhet në njoftim, në letrën e dërguar Trump-it më 25 korrik, kongresmenet kanë kërkuar që presidenti amerikan të ndërmjetësojë në arritjen e një marrëveshjeje për normalizim midis Kosovës dhe Serbisë, e cila do të përfshinte edhe një marrëveshje të mundshme paqeje si dhe njohjen e ndërsjellë.
Kjo Lëvizje shpreh “shqetësim të veçantë” për faktin që një nga nënshkrueset e letrës është Claudia Tenney, bashkëkryetare e lobit serb në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit të SHBA.
Në njoftim kujtohet se Tenney gjatë vizitës së saj në Beograd dhe Prishtinë në maj të këtij viti ka zhvilluar takime me zyrtarë të lartë shtetërorë, dhe se me këtë rast presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka dhënë asaj Urdhrin e Flamurit Serb të shkallës së parë për “meritat në forcimin e marrëdhënieve” ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së.
“Prandaj, në Shtëpinë e Bardhë, iniciativa e kongresmenes Tenney për njohje të ndërsjellë ndërmjet Serbisë dhe Kosovës mund të interpretohet si diçka që ka bekimin dhe mbështetjen e Beogradit zyrtar”, thuhet në këtë kumtesë.
The post Dy kongresmene amerikane i shkruan Trumpit, propozojnë që Serbia ta njohë Kosovën appeared first on Kosovapost.net.