Dy ish-presidentë të Barcelonës thirren për të dëshmuar në rastin e korrupsionit ‘Negreira’

Ish-presidentët e Barcelonës, Sandro Rosell dhe Josep Maria Bartomeu, janë thirrur të japin dëshmi në çështjen Negreira, ku të dy janë pjesë e një hetimi mbi Barcelonën. Të dy janë akuzuar për korrupsion sportiv, njësoj si edhe klubi. 

Të dy janë ngarkuar me këto akuzat dhe sot gjyqtarja e rastit ka pranuar të zgjasë periudhën e hetimit, vetëm disa javë pasi çështja ka mbushur dy vjet në sistemin ligjor.  

Akuzat lidhen me një seri pagesash nga Barcelona për dy kompani në pronësi të ish-zëvendëspresidentit të Komitetit të Gjyqtarëve, Jose Maria Enriquez Negreira, midis viteve 2001 dhe 2018. 

Barcelona ka deklaruar se pagesat janë bërë për konsulencë në lidhje me vendimet e gjyqtarëve, dhe gjithashtu ka marrë raporte nga i biri i tij, Javier Negreira, i cili gjithashtu ishte pjesë e këtyre kompanive.  

Gjatë 17 viteve, Barcelona ka paguar ndërmjet 7-8 milionë euro, por gjyqtarja beson se pagesat nuk janë justifikuar mjaftueshëm, prandaj ekzistojnë akuzat për korrupsion sportiv. 

Barcelona është akuzuar gjithashtu për ryshfet, por nuk pritet që të mund të vërtetohet se Negreira ishte një zyrtar publik, pasi ai i përkiste një kompanie private në kuadër të RFEF (Federata Spanjolle e Futbollit). 

 Sipas raportimit të Cadena SER, brenda gjashtë muajve të ardhshëm, si Rosell ashtu edhe Bartomeu do të japin dëshmi para një gjyqtari, ndërsa klubi është akuzuar edhe për mashtrim korporativ dhe falsifikim dokumentesh. 

Presidenti aktual, Joan Laporta, ishte në detyrë gjatë një pjese të kësaj periudhe, por duke qenë se mandati i tij filloi më shumë se pesë vjet para përfundimit të periudhës së pagesave, ekziston një parashkim ligjor që e pengon që ai të ngarkohet me këto akuza.