Dy gola nga Mirlind Daku, por Rubin Kazani dorëzohet në Khimki

Mirlind Daku vazhdon të shkëlqejë individualisht në elitën e futbollit rus, por përpjekjet e tij nuk mjaftuan këtë fundjavë për të shpëtuar Rubinin nga humbja.

Të shtunën pasdite, sulmuesi i kombëtares shqiptare realizoi dy gola ndaj Khimkit, në një ndeshje të javës së 29-të të Premier Ligës ruse. Daku shënoi për herë të parë në minutën e 12-të, duke barazuar rezultatin në 1-1.

Ai riktheu shpresat për Rubin Kazanin edhe në pjesën e dytë, kur në minutën e 58-të kaloi skuadrën e tij në epërsi me rezultatin 2-1.

Megjithatë, pavarësisht dy golave të tij, Rubin Kazani nuk arriti të mbajë avantazhin.

Khimki përmbysi gjithçka dhe e mbylli ndeshjen me fitoren 3:2 në shtëpi. Për më tepër, Daku humbi një mundësi të artë në pjesën e parë, kur dështoi ta realizojë një penallti në minutën e 43-të.

Në këtë sfidë, Daku dhe Dardan Shabanhaxhaj ishin titullarë gjatë gjithë takimit për Rubinin, ndërsa Marvin Çuni mbeti në bankën e rezervistëve.

Me dy golat e shënuar, Daku e çon në 14 numrin total të realizimeve në këtë sezon, duke shtuar edhe tetë asistime në konton e tij personale – një formë mbresëlënëse për 27-vjeçarin.

Pas kësaj humbjeje, Rubin Kazani mbetet me 42 pikë në pozitën e shtatë të tabelës, ndërsa Khimki ngjitet në vendin e 11-të me 29 pikë.