Për 30 euro ryshfet një mjeku gjykata i ka shqiptuar dënim me burg prej gjashtë muajsh; për korrupsionin në vlerë të 500 eurove, një elektricist është dënuar me 39 muaj burg; për korrupsionin që kap vlerën 300 euro një polic i thjeshtë është dënuar me 60 muaj burg.
Për korrupsionin në vlerë të 30 mijë eurove, ish-zëvendësministri Musa Cena është dënuar me kusht; për korrupsion që kap vlerën rreth 200 mijë euro ish-kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja është dënuar me kusht. Edhe disa kolegë të Mujës, prej tyre disa të komuniteteve joshumicë, janë dënuar me kusht. Të tjerët politikanë e zyrtarë publikë më të fuqishëm se këta ose nuk janë ndjekur fare, ose janë liruar në gjykatë, shkruan sot Koha Ditore.
Një qasje e tillë e bën drejtësinë të “pamëshirshme” për hajnat e pulave, personat që prenë ilegalisht nga 2-3 metra dru në mal, qytetarët që korruptojnë e zyrtarët e thjeshtë që korruptohen me nga 10 euro. Të gjithë këta kryerës të krimeve për të tilla vepra mund të përfundojnë në burg. Por i njëjti gjyqësor qe gati katër vjet nuk e ka dërguar asnjë zyrtar të lartë në burg.
Keqpërdorimet milionëshe, abuzimet me pushtet, me punësime, tenderët e dyshimtë, për gjykatat në Kosovë nuk kanë vlerë aq të madhe sa dikush prej përgjegjësve të dërgohet në burg. Të paktët që janë dënuar, janë dënuar me kusht. Burgu i Sigurisë së Lartë në Gërdovc e Shërbimi Korrektues i Dubravës nuk e kanë banor asnjë figurë të fuqishme politike e publike.
Të gjitha hallkat e sistemit të drejtësisë e pranojnë se ky sistem nuk ka rezultate. Është sistem i drejtësisë për “krimet e vogla” dhe krejtësisht i verbër për korrupsion e krimet e tjera të profilit të lartë.
Pa asnjë rezultat me të cilin mund të mburrën, të gjitha hallkat e sistemit të drejtësisë në vend se të korrigjojnë veten gjatë gjithë kohës përmes paraqitjeve publike ia hedhin fajin njëra-tjetrës për mungesën e rezultateve. Megjithatë, sipas monitoruesve të shoqërisë civile e raporteve të ndryshme, të gjitha këto hallka janë të përfshira në dështimin e luftimit të korrupsionit dhe vendosjes së rendit.
“Disa më të barabartë se të tjerët”
Parimi bazë i drejtësisë se “para ligjit të gjithë jemi të barabartë” nis të mos zbatohet qysh në inicimin e një hetimi. Trajtimi i rasteve në gjykatë, sidomos atyre që lidhen me veprat e korrupsionit, megjithatë dëshmon se para drejtësisë në Kosovë disa persona “janë më të barabartë”