Zyrtari i LDK-së, Florian Dushi, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit politike lidhur me çështjen e Presidencës, duke akuzuar për degradim të këtij institucioni.
Në një postim publik, Dushi ka vlerësuar se Presidenca, pas dy presidentëve që sipas tij i ka dhënë Lidhja Demokratike e Kosovës, ka pësuar rënie të theksuar si në mënyrën e zgjedhjes ashtu edhe në ushtrimin e rolit të saj kushtetues.
“Presidenca ka degraduar skajshëm në mënyrën e zgjedhjes por edhe të rolit që ky institucion duhet të ketë. Sot ajo trajtohet hapur si instrument pazari politik, e jo si një nga shtyllat themelore të rendit kushtetues dhe demokratik të vendit”, ka deklaruar Dushi.
Ai ka kritikuar ashpër atë që e ka quajtur qasje të papërgjegjshme të akterëve politikë, duke përmendur “kalkulime nga më të ulëtat” që, sipas tij, po bëhen në dëm të shtetit.
“Këto ditë kemi dëgjuar kalkulime nga më të ulëtat, të bëra në mënyrë të paskrupullt në kurriz të shtetit dhe funksionalitetit të tij. Sot, në skenë u rikthye sërish i njëjti ofertues i pasinqertë, me një kalkulim të ri”, ka shtuar ai.
Sipas Dushit, përplasjet aktuale nuk lidhen me përzgjedhjen e figurës më të përshtatshme për president, por me interesa të ngushta politike.
“Në vendin tonë nuk ka garë për figurën që i duhet vendit si president/e – ka vetëm përplasje për emra dhe interesa. Për më tepër, nuk bëhet fjalë vetëm për krizë politike, por për degradim të vet kuptimit dhe rolit të Presidencës”, ka përfunduar ai.









