Duncan: Propaganda serbe thoshte që UÇK-ja ishte e rregullt dhe me hierarki

Dëshmitari John Duncan deklaroi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, sipas propagandës serbe, ishte një ushtri e rregullt dhe me strukturë hierarkike.

Përveç kësaj, ai thotë se me gjasë serbët e thonin këtë për të justifikuar disfatën e tyre kundrejt UÇK-së, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Serbët! Propaganda serbe, siç e kam kuptuar unë dhe prej informatave që kam marrë- ata filluan që t’i quajnë terroristë dhe më pas t’i shohin si një kanosje reale, si një ushtri e rregullt e të disiplinuar me hierarki dhe që funksionon si një ushtri e rregullt”, u shpreh Duncan.

Dëshmitari tha se vërtetë që UÇK-ja ka pësuar shumë disfata por çdo herë ata shfaqeshin me persona më të shumtë në numër që iu bashkoheshin kësaj lëvizje.

Përveç kësaj, dëshmitari tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka dashur të tregojë se nuk ishin thjesht guerilë në mes të malit, por që janë seriozë nga pikëpamja ushtarake.

“Ata janë përpjekur që të na tregonin që ishin mjaft serioz nga pikëpamja ushtarake. Kështu që kur arriti errësira e plotë me datë 17, kishte një Gardë Nderi të veshur me uniforma të reja, me kallashnikov dhe me bereta dhe duke e na e dhënë një përshëndetje ushtarake ndaj një delegacioni ushtarak. Donin të tregonin vetën se nuk ishin thjeshtë gueril në mes të pylli”, shtoi ai.

Dëshmitari tha ishte shumë e lehtë që të gjendej uniformë për disa persona.

“Shumë kollaj është të gjesh uniforma për gjashtë persona dhe t’ua gjesh beretat. Kështu që nuk mund të them se sa e nevojshme ishte të bëhej një gjë e tillë”, tha ai.

Por, kjo nuk ishte domosdoshmërisht ajo që paraqet realitetin, sipas dëshmitarit John Duncan.

“Nga përvoja e vizitave në vende të tjera mund të pritesh nga një gardë e veshur mirë, ndërkohë që ushtria është copë-copë…jo kjo nuk është shprehje e një strukture të mirë organizative. Nga përvoja ime dhe nga informacione nga burime të ndryshme që kishim në terren ishte se kjo ishte një ushtri guerile, shumë kaotike siç mund të ishte në fakt. Mendoj që ishte e paorganizuar që në fakt po organizohej gjithnjë e më mirë. Ata ishin ushtri guerile dhe aspak e rregullt. Prandaj, ekzistojnë edhe titujt që duken se janë tejet të zmadhuar”, tha ai.

Ndryshe, me kërkesën e avokates Nina Tavakoli, për të diskutuar për disa aspekte konfidenciale, seanca kaloi në sesion privat për publikun.