Denzel Dumfries mund të rikthehet më shpejt nga sa pritej. “Jemi optimistë”, – deklaroi mbrëmë, para fitores 1-0 të Interit ndaj Lecce, presidenti zikaltër Giuseppe Marotta. Megjithatë, në letër nevojitet ende rreth një muaj e gjysmë për rikuperimin e plotë nga dëmtimi në kyçin e këmbës, ndaj drejtuesit e “Viale della Liberazione” duan të sigurojnë një alternativë mbuluese në krahun e djathtë.
Profili i kërkuar duhet të jetë i gatshëm për Serie A dhe për një ambient me presion si Interi dhe “Appiano Gentile”. Sipas Corriere dello Sport, kandidati ideal mund të jetë një ish-zikaltër si Ivan Perisic. Kroati 36-vjeçar ka lënë kujtime të mira në Milano dhe është shumë i adaptueshëm në të dy krahët.
Si zgjidhje afatshkurtër për të mbuluar mungesën e Dumfries, opsioni shihet logjik. Janë bërë disa “sondazhe”, por pa përgjigje pozitive nga PSV Eindhoven, që e ka nën kontratë deri më 30 qershor 2027. Ndërkohë, Perisic do të ishte i emocionuar për një rikthim tek Interi. Situata mund të ndryshojë në fund të muajit, teksa PSV lufton për “play off”-et e Champions League.
The post Dumfries jashtë, Interi nuk pret. Rikthehet “pista Perisic”, ja pozicioni i tij appeared first on Telesport.










