Dumfries “iu mbetet në derë” zikaltërve, Barcelona nuk ka bërë asnjë lëvizje

Denzel Dumfries duket gjithnjë e më afër qëndrimit tek Interi. Siç raporton Fabrizio Romano, pavarësisht se agjentët e tij e kanë ofruar tek Barcelona, katalanasit nuk kanë ndërmarrë asnjë hap konkret ndaj lojtarit dhe klubit zikaltër.

Në këtë fazë të merkatos, Barça është e përqendruar në rinovimin e kontratës së Jules Koundé, një lojtar kyç për Hansi Flick. Francezi është nën kontratë deri në vitin 2027, por për të shmangur sulmet nga Manchester City, katalanasit po punojnë për përmirësim të kushteve të tij ekonomike. Zgjedhja për të investuar te Koundé, që luan në të njëjtën pozitë me Dumfries, është sinjal i qartë se holandezi nuk përbën prioritet për momentin.

Ndërkohë, Dumfries ka një klauzolë prej 25 milionë eurosh, e vlefshme vetëm deri më 31 korrik, por me kalimin e ditëve po bëhet gjithnjë e më pak e mundur që ndonjë klub ta paguajë këtë shumë në kohë për ta shkëputur nga Interi.

E përmbledhur: nuk ka asnjë ofensivë nga Barça dhe në mungesë të ofertave konkrete, Dumfries është gjithnjë e më pranë qëndrimit në Milano. Megjithatë, në merkato, siç dihet, surprizat nuk mungojnë kurrë.

The post Dumfries “iu mbetet në derë” zikaltërve, Barcelona nuk ka bërë asnjë lëvizje appeared first on Telesport.