Nuk pati fyerje raciste, por ishte kapitulli i dytë i një konflikti të vjetër. Përplasja mes Denzel Dumfries dhe Marcos Acuña shpërtheu në Seattle, por kjo nuk është skenë e papritur. Në dhjetor 2022, çerekfinalet e Botërorit të Katarit, Argjentina do të kualifikohej pas penalltive. Mes të dyve u shkëmbyen fjalë të rënda atë ditë, me Dumfries që ndoqi mbrojtësin argjentinas, duke shkaktuar një përleshje të përgjithshme.
E njëjta skenë, më pak a më shumë, u përsërit mbrëmë në fundin e Inter-River Plate 2-0. Skuadra e Gallardos luajti futboll mjaft agresiv që në fillim. Në pjesën e dytë, sidomos pas avantazhit të Interit, intensiteti i ndërhyrjeve u rrit ndjeshëm, duke provokuar edhe reagimet e pankinës zikaltër.
Gjatë njërit prej këtyre momenteve, Acuña filloi të debatonte me lojtarët e ulur pas Chivu. Në fushë, përplasjet mes tij dhe Dumfries u përsëritën disa herë. Deri në vërshëllimën përfundimtare, kur argjentinasi e ndoqi Dumfries deri te tuneli i dhomave të zhveshjes, ndërsa tifozët e River Plate hidhnin shkopinjtë e flamujve drejt holandezit që po largohej.
Incidenti vazhdoi edhe në tunel. Disa lojtarë të Argjentinës tentuan ta ndalonin Acuñan, ndërsa të tjerë i vërsuleshin Dumfries me ulërima dhe ofendime, ndërsa ky i fundit mbrohej nga shokët e tij të skuadrës.
Fjalët ishin të rënda, pa dyshim. Vetë Dumfries, i pyetur pas ndeshjes, mohoi kategorikisht se kishte dëgjuar fyerje raciste. Ajo që mbeti ishte një skenë aspak dinjitoze për futbollin. Trajneri i River, Marcelo Gallardo, bëri autokritikë në konferencën për shtyp: “Ajo që ndodhi nuk na përfaqëson. Nuk është ky imazhi që dua të ketë River Plate në botë. Ishte me të vërtetë një turp”.
The post Dumfries-Acuña, sherr i madh në fundin e ndeshjes. Shkaku? E ka origjinën që në Botërorin e Katarit… appeared first on Telesport.