Duhet të ndalojmë largimin e egjiptianëve nga Kosova, papunësia dhe diskriminimi po e boshatisin komunitetin

Me rastin e Ditës Nacionale të Egjiptianëve në Ballkan, kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane në Kosovë, Veton Berisha, ngriti shqetësime serioze për gjendjen e komunitetit egjiptian, raporton Ekonomia Online.

Në konferencë për media, Berisha theksoi se largimi i vazhdueshëm i egjiptianëve nga Kosova është alarmues dhe lidhet kryesisht me mungesën e mundësive për punësim, diskriminimin dhe mungesën e përfaqësimit.

Ai shtoi se problemi kyç është punësimi, sepse ekzistenca është e vështirë në një konkurrencë të pabarabartë.

“Duhet të bëjmë të pamundurën që egjiptianët të mos braktisin vendin, të jetojnë në Kosovë, ta shohin veten si komunitet që mund të kontribuojë në Kosovë dhe jo jashtë vendit. Çdo ditë ka ikje nga vendi, për shkakun se asnjërin nga ta nuk e zë veten këtu. Ka statistika që në secilën familje ka të paktën një që është larguar nga Kosova. Edhe regjistrimi i popullsisë na tregon se ka pasur rënie dhe kjo si shifër dëshmon që ne jemi më pak në Kosovë. Jemi shumë të shqetësuar, sepse ne si shtet kemi obligim që t’u krijojmë kushte më të mira.

Ballafaqohemi me probleme me procesin e arsimimit, por problemi kyç është problemi i punësimit, sepse ata ekzistencën e tyre e kanë shumë problem ta sigurojnë në një konkurrencë të pabarabartë. Ka ligje të favorshme në Kosovë për komunitete, por ato janë minimalisht të aplikueshme. Shifrat tregojnë që ka numër minimal të punësuarve në institucione publike dhe kjo dëshmon se nuk ka një vullnet të dukshëm që institucionet dëshirojnë ta bëjnë për ta parë komunitetin më mirë. Problem tjetër kryesor është ballafaqimi me racizmin, diskriminimin institucional, në rrugë”, tha Berisha.

Arian Lile nga komuniteti për pakicat kombëtare në Shqipëri shprehu mbështetjen e tij për përfaqësuesit e komunitetit egjiptian në rajon.

Ai theksoi nevojën për më shumë përfshirje në fusha si punësimi, strehimi dhe diversiteti kulturor.

“Jam i gëzuar për Berishën që ka arritur në këto stade, pavarësisht se me shumë përpjekje, por edhe për të gjithë pakicat e tjera që janë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës. I kam përcjell shqetësimet e Berishës. Shpresoj që të bëhet një marrëveshje e mirë që t’i shërbejë edhe Kosovës, por edhe komunitetit egjiptian dhe të ketë një qasje më të gjerë si në punësim, strehim, çështjet e diversitetit kulturor dhe etnik. Janë të pakrahasueshme me Shqipërinë. Këtu ka një ngërç jashtëzakonisht të madh, por ne jemi këtu për të mbështetur. Mesazhi im është të bashkohemi të gjithë “, tha ai.