Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ahmet Isufi, ka fajësuar Lëvizjen Vetëvendosje se po e zvarrit me qëllim procesin e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
Në një intervistë në emisionin “FIVE” në RTV Dukagjini, Isufi tha se mungesa e vullnetit politik nga ana e partisë në pushtet po e dëmton rëndë vendin, duke e lënë atë pa institucione funksionale.
“Por këtu nuk ka qëllim të negociatave, ka qëllim të bllokimit të procesit. E që për neve është shumë dëm Kosovën, sepse në vend që të krijohen institucionet, të ecet më tutje, kur Kosova ka nevojë dhe ka shumë punë për të bërë, ka qëllim që ta degradojë procesin. Dhe kjo dëmton interesin e Kosovës”, ka thënë Isufi.
Sipas tij, partia që ka dalë e para në zgjedhje i takon të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, por kandidatura duhet të jetë një figurë që bashkon të gjitha grupet parlamentare, përfshirë opozitën dhe deputetët e pavarur.
“Deri tash nuk ka ndonjë tentim për zhbllokim të procesit. Dhe konsideroj që qëllimshëm po veprohet kështu, sepse po të ketë vullnet të mirë është shumë e qartë. Edhe në bazë të Kushtetutës, Rregullores së Kuvendit. Partisë së parti i takon të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit. I cili megjithatë duhet të jetë figurë unike që i bashkon, sepse ka të bëjë me pozitën me opozitë, me gupet parlamentare, deputetët e veçantë. Kështu që një figurë do të mund t’i ofrohej një kredibiliteti të tillë do të mund ta udhëhiqte parlamentin.
Dhe konsideroj që nuk po bëhet në formën që duhet, sepse divergjencat që janë paraqitur në të kaluarën nga ana e qeverisë, sidomos një anëtari të qeveris ëqë ka pas probleme qoftë me deputetët, qoftë me partitë opozitare. Konsideroj me qëllim po bëhet për të prolonguar procesin dhe në vend se të vihen në rend gjërat që nga fillimi, pavarësisht atij fjalori që është përdorur në fushatë, sepse në çdo fushatë kemi edhe konfrontime. në momentin kur pushon fushata, certifikohen rezultate, vihet në shprehje baza e parlamentit prej partive, atëherë fillojnë negociatat”, ka shtuar Isufi.
Isufi përmendi se VV-ja ka figura të tjera të pranueshme, si Saranda Bogujevci dhe Shqipe Selimi, të cilat kanë autoritet dhe përvojë për të udhëhequr Kuvendin në mënyrë unifikuese.
“Kjo duhet të merret në bazë të përvojës në parlament. Dhe ne e dimë që zonja Bogujevci ka qenë shumë e kujdesshme. Ka qenë kryesisht në seancat që i ka udhëheq kryeparlamentari, ajo gjithmonë ka qenë afër tij. I njeh proceduar nuk ka pas ndonjë tendencë. Para deputetëve është parë si figurë unifikuese. Në të njëjtën kohë Shqipe Selimi, jo pa qëllim është propozuar. Jo me tendencë. Për shkak të autoritet që gëzon dhe në kontributin që ka dhënë për lirin e Kosovës edhe në raportet nder njerëzore dhe kolegjiale. Ndaj tyre nuk ka ndonjë refuzim, ndoshta do të udhëhiqej më mirë parlamenti”, ka theksuar Isufi.
“Ne i dimë debatet që janë zhvilluar në parlament e Kosovës, deklaratat e mëhershme, krejt veprimet edhe në Ministrinë e Drejtësisë, për ato që kanë ndodhur gjatë periudhës 5 vjeçare. Atëherë konsideroj që grupet parlamentare parashikojnë që nuik mund të ketë një funksionim të mirë të parlamentit. Prandaj, VV-ja ka figura edhe tjera që mund të jetë e pranueshme për parlamentin në përgjithësi… do të ishte që në start një bashkëpunim i mirë mes kryetarit/es, dhe bashkëpunëtorëve, komisioneve parlamentare dhe seancave”, ka thënë ndër të tjera Isufi.