Dua Lipa sjell prapaskenat e festivalit “Sunny Hill”: Kur e nisëm si ide ishte ‘e frikshme’ pasi kur jetoja në Kosovë, nuk kishte shumë artistë që vinin këtu

Dua Lipa, ylli shqiptar me famë botërore, ka publikuar së fundmi një video ekskluzive në platformën e saj personale Service95, ku ndan me ndjekësit momentet e papara nga prapaskenat e festivalit Sunny Hill 2025, që u mbajt në Prishtinë.

Në këtë video, Dua flet me shumë emocion për rikthimin e saj në Kosovë dhe përgatitjet intensive për natën e parë të festivalit – ku ajo performoi për publikun vendas në një atmosferë elektrizuese. E rrethuar nga ekipi i saj dhe familja, këngëtarja sjell një rrëfim personal që fillon nga koncerti i saj i parë në Prishtinë në vitin 2016, e deri tek transformimi i asaj ideje në një festival të përmasave ndërkombëtare.

“Koncerti im i parë në Prishtinë ishte në vitin 2016. Kisha filluar turneun tim në Europë dhe thashë me vete: nëse po bëj turne në Europë, duhet patjetër të kthehem në shtëpi dhe të jap një koncert. Babai im më ndihmoi ta organizonim si një koncert bamirësie për Fondacionin Sunny Hill”, rrëfen Dua në video.

Ajo shton se suksesi i asaj nate u kthye në nxitje për të krijuar diçka më të madhe – Sunny Hill Festivalin, që sot mbledh emra të mëdhenj të muzikës ndërkombëtare dhe artistë vendas në zemër të Prishtinës.

“Ishte një ide shumë e madhe dhe paksa frikësuese, por e ndërtuam me familjen dhe dëshiruam të ndryshonim mënyrën se si flitet për Kosovën – të sillnim diçka pozitive, të rinj, energji, dhe kulturë”.

Në video, shihen momentet e saj para se të dalë në skenë: ngrohjet vokale, përgatitjet me bandën, si dhe një ndjesi përgjegjësie që e ndjek gjatë gjithë ditës. Por momenti më emocional vjen kur zbulon se për këtë mbrëmje kishte një të ftuar shumë të veçantë: “Sonte do të këndoj një këngë në shqip – dhe kam një mysafir shumë të veçantë… babain tim. Ai është frymëzimi im më i madh”.

Ajo ndan se për të, kjo është një “homecoming” e vërtetë – kthim në rrënjë dhe ndarje e skenës me babanë e saj, Dukagjin Lipa, i cili jo vetëm ka qenë muzikant në të kaluarën, por është edhe organizatori dhe menaxheri i saj.

Në fund, Dua shprehet me entuziazëm për atë që ka ndërtuar bashkë me familjen dhe komunitetin, duke shpresuar që festivali të vazhdojë të rritet dhe të kthehet në një pikë referimi kulturore për të gjithë rajonin.

“Ka gjithmonë një energji të veçantë në Kosovë gjatë verës. Tani është edhe më shumë. Dhe unë e dua këtë – sidomos kur jam pjesë e saj me familjen time”.

Kjo video është një dëshmi e përkushtimit të Dua Lipës ndaj vendlindjes dhe një kujtesë se suksesi më i bukur është ai që ndahet me ata që të kanë rritur dhe frymëzuar.