Dua Lipa dhe Callum Turner po vazhdojnë të përfliten si çifti më i ri dhe më simpatik i botës së shoubizit.
Dyshja u shfaqën në Met Gala të hënën, një nga eventet më të rëndësishme të modës, ku u kthyen në qendrën e vëmendjes me paraqitjen e tyre plot stil dhe harmoni.
Artistja shqiptare me famë botërore dhe aktori anglez dukeshin të pandarë gjatë gjithë mbrëmjes, duke reflektuar një kimi të dukshme e të natyrshme.


Pas eventit, Dua ndau me ndjekësit e saj në Instagram disa momente nga prapaskenat, ku shihet përkrah Callum në fazën e përgatitjeve. Në ato fotografi, dyshja duken të qeshur dhe të afërt, ndërsa sytë e tyre shpërfaqin një lidhje emocionale që nuk fshihet dot as nga kamerat.
E veshur me një stil që ndërthurte elegancën me klasin modern, Dua Lipa nuk kishte nevojë për shumë fjalë – lumturia e saj fliste vetë.
Kjo paraqitje në Met Gala jo vetëm që vulosi statusin e tyre si një ndër çiftet më të përfolura të momentit, por edhe tregoi se mes tyre ka më shumë se thjesht shkëlqim në tapetin e kuq – ka dashuri të sinqertë dhe përkrahje të ndërsjellë. /Telegrafi/

