Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, ka hyrë në botën e kujdesit të lëkurës përmes një bashkëpunimi me markën luksoze gjermane Augustinus Bader, e njohur për teknologjinë e saj të avancuar në produktet kozmetike.
Së bashku ata kanë krijuar një linjë të re të quajtur ‘Dua by AB Science’, e cila synon të ofrojë cilësinë e lartë të markës me një çmim më të arritshëm për publikun e gjerë.
Linja përbëhet nga tre produkte bazë të përditshme: Balancing Cream Cleanser, Reneëal Cream dhe Supercharged Glow Complex.
Çmimet e tyre variojnë nga 37 deri në 79 euro, shumë më të ulëta krahasuar me gamën ekzistuese të Augustinus Bader, ku produktet e ngjashme shiten mes 70 dhe 280 eurove.
Të gjitha produktet e linjës së re janë formuluar me TFC5, një version i përmirësuar i kompleksit të patentuar të markës, i cili njihet për aftësinë e tij për të rigjeneruar dhe forcuar barrierën natyrale të lëkurës.
Ky përbërës është ekskluziv për linjën e Duas, duke e bërë atë unike brenda ofertës së Augustinus Bader.
Artistja ka qenë një mbështetëse e hershme e markës, duke përmendur shpesh Rich Cream dhe Eye Patches si pjesë të rutinës së saj të kujdesit të lëkurës.
Me ‘Dua by AB Science’, ajo shënon hyrjen e saj të parë si bashkëthemeluese në industrinë e bukurisë dhe mirëqenies, duke kombinuar pasionin për estetikën me qasjen shkencore të markës.
Përveç këtij projekti, Dua vazhdon të jetë ambasadore globale e YSL Beauty dhe fytyra e parfumit Libre, ndërsa Augustinus Bader ka një histori bashkëpunimesh me personalitete të njohura, përfshirë Victoria Beckham, me të cilën ka krijuar më parë një serum dhe fondatinë ekskluzive.












