Dua Lipa gati për hapin e madh, shpreh dëshirën për t’u bërë nënë

Gjatë një interviste për revistën British Vogue për numrin e korrikut, ylli i muzikës pop Dua Lipa foli për dëshirën e saj për të pasur fëmijë në të ardhmen. Lipa tha se kur mendon për kohën më të mirë për të pasur fëmijë, shpesh e pyet veten se kur do të ishte momenti i duhur. “Do të doja shumë të kisha fëmijë një ditë. Por gjithmonë e kam pyetjen e vazhdueshme: kur do të ishte koha e duhur, si do të përshtatej me punën time, si do të funksiononte nëse shkoja në turne dhe sa kohë do të duhej të merrja pushim”-i tha ajo revistës.

“Mendoj se është një nga ato gjëra që do ndodhin kur të ndodhin. Më pëlqejnë shumë fëmijët, por mendoj se të rritësh një fëmijë është shumë më tepër se thjesht të duash fëmijët”. Në pjesën tjetër të intervistës, këngëtarja konfirmoi fejesën e saj me aktorin Callum Turner, 35 vjeç. “Po, jemi të fejuar. Është shumë emocionuese”-tha Lipa.

Ajo shtoi se unaza e saj e fejesës u bë pasi Turner konsultoi shoqet më të ngushta dhe motrën e saj. “Jam e dashuruar me të. Është shumë për mua. Është një ndjenjë e mirë të dish që personi me të cilin do të kalosh pjesën tjetër të jetës tënde të njeh shumë mirë”. Rikujtojmë se këngëtarja tregoi unazën e diamantit në gishtin e saj të unazës në një seri fotosh të publikuara në Instagram.

Ndërkaq, Sunday Times ka publikuar listën e të pasurve nën 40 vjeç në Britani, ku ylli shqiptar Dua Lipa është emri më i ri. Ajo renditet e 34-ta me një pasuri të vlerësuar prej 115 milionë funtesh (rreth 134.6 milionë euro), pas suksesit me albumin “Radical Optimism” dhe performancave madhore, si ajo në Glastonbury. Në krye të listës qëndron sipërmarrësi Dmitry Bukhman me 12.54 miliardë funtesh (rreth 14.7 miliardë euro), bashkëthemelues i gjigantit të lojërave Playrix. Pas tij renditet Hugh Grosvenor, Duka i Westminster, me 9.88 miliardë funtesh (rreth 11.6 miliardë euro).