Dua Lipa fiton çështjen gjyqësore ndaj padisë që i është bërë për ‘vjedhje’ të këngës hit “Levitating”

Ka qenë një periudhë e mirë për kantautorët e njohur që po përballen me padi për shkelje të të drejtave të autorit. Fillimisht, Mariah Carey arriti të fitonte një betejë ligjore të gjatë lidhur me akuzat se kishte kopjuar elemente të hitit të saj të përjetshëm “All I Want For Christmas Is You”.

Tani, një tjetër lajm pozitiv ka ardhur për Dua Lipën, e cila ka dalë fitimtare në një çështje të rëndësishme ligjore që lidhet me megahitin e saj, “Levitating”, shkruan Music Business Worldwide.

Një gjykatës federal në New York ka rrëzuar një padi për shkelje të të drejtave të autorit ndaj shtëpisë diskografike Warner Records dhe Dua Lipës, duke vendosur që kënga “Levitating”, e publikuar në vitin 2020, nuk ka kopjuar në mënyrë të paligjshme një këngë disko të vitit 1979.

Në një vendim të dhënë të enjten (27 mars), gjykatësja Katherine Polk Failla ka dhënë një vendim përfundimtar në favor të Lipës dhe bashkëpaditurve të saj, duke konstatuar se paditësit nuk arritën të provonin ngjashmëri të konsiderueshme midis elementeve të mbrojtura të veprave.

Ndër bashkëpaditurit ishin kompanitë ‘Sony Music Publishing (US) LLC’, ‘Universal Music Corporation’ dhe ‘Warner Records Inc’, si dhe bashkëautorët e “Levitating”, Clarence Coffee, Jr., Sarah Hudson dhe Stephen Kozmeniuk.

Padia ishte ngritur nga ‘Larball Publishing Company’ dhe ‘Sandy Linzer Productions’, të cilët pretendonin se “Levitating” kishte shkelur të drejtat e autorit për dy këngë: “Wiggle and Giggle All Night” – një këngë disko e vitit 1979 e interpretuar nga Cory Daye, dhe “Don Diablo” – një këngë e vitit 1980 nga Miguel Bosé, të cilën paditësit e kishin blerë të drejtat përmes një marrëveshjeje të mëparshme mbi shkeljen e të drejtave të autorit.

Gjykatësja Failla arriti në përfundimin se fraza muzikore e përbashkët mes “Levitating” dhe këngëve të paditësve përbëhej nga “pesë grupe notash të përsëritura në ritëm 16-tësh që zbresin në shkallën e minorit B te ‘Levitating’, por në shkallën D major te ‘Don Diablo’”.

Gjykata vendosi se kjo shkallë zbritëse dhe një notë shtesë, të cilën paditësit e cilësuan si “melodi karakteristike”, nuk ishin të mbrojtura nga ligji për të drejtat e autorit.

“Gjykata përfundimisht arrin në përfundimin se nuk mund të ketë ngjashmëri të konsiderueshme (dhe për rrjedhojë as shkelje të të drejtave të autorit) sipas ligjit, sepse ‘ngjashmëria midis veprave ka të bëjë vetëm me elemente që nuk mbrohen nga të drejtat e autorit të veprës së paditësve’”, shkroi gjykatësja Failla.

Vendimi i gjykatës u mbështet fuqimisht në çështjen e fundit ‘Structured Asset Sales, LLC’ kundër Ed Sheeran, që Sheeran e fitoi në nëntor të vitit 2024. Në këtë vendim u përcaktua se “elementët bazë muzikorë si notat, ritmet dhe akordet në përgjithësi nuk janë të mbrojtshme me të drejta autori”, megjithëse një “përzgjedhje dhe renditje origjinale” e këtyre elementeve mund të mbrohet.

Ky precedent ligjor ishte kyç për mbrojtjen e Dua Lipës, pasi gjykatësja Failla e citoi atë drejtpërdrejt për të rrëzuar pretendimet e paditësve se një shkallë zbritëse plus një notë shtesë mund të përbënin një shprehje të mbrojtur.

Paditësit tentuan gjithashtu të argumentonin se elemente të tjera, si stili i interpretimit (“patter style”), tingulli pop me ndikime disko, tempoja dhe karakteristika të tjera, e bënin kombinimin e këtyre elementeve të mbrojtur.

Megjithatë, gjykata e hodhi poshtë këtë teori, duke theksuar se këto elemente nuk ishin origjinale në mënyrë të mjaftueshme për t’u mbrojtur nga ligji për të drejtat e autorit.

Gjykatësja Failla vuri në dukje se disa nga elementet e pretenduara ishin pjesë të zakonshme të kompozimit muzikor, duke sjellë si shembull se “stili ‘patter’ është përdorur prej shekujsh në opera të Mozartit dhe Rossinit, si dhe në operetat e Gilbert dhe Sullivan”.

“Më thelbësisht, Gjykata gjen se një stil muzikor, i përcaktuar nga paditësit si ‘pop me ndjesi disko’, dhe një funksion muzikor, i përcaktuar nga paditësit si ‘argëtim dhe vallëzim’, nuk mund të mbrohen kurrë — as veç e veç dhe as së bashku — sepse një vendim i tillë do të bllokonte plotësisht zhvillimin e mëtejshëm të muzikës në atë zhanër apo për atë qëllim”, u theksua në vendim.

Gjykata hodhi poshtë gjithashtu kërkesat e paditësve për deklarim të të drejtave dhe llogaritje financiare, të cilat paditësit i kishin pranuar se do të bëheshin të pavlefshme nëse akuza për shkelje të të drejtave të autorit rrëzohej.

Ky vendim shënon përfundimin e një prej disa padive ligjore që Dua Lipa është përballur për “Levitating”.

Në 2022, një grup i quajtur Artikal Sound System kishte ngritur padi duke pretenduar se “Levitating” ishte “shumë i ngjashëm” me këngën e tyre “Live Your Life”.

Megjithatë, ajo çështje u hodh poshtë nga një gjykatës federal, i cili vendosi se Artikal Sound System nuk kishte paraqitur prova që krijuesit e “Levitating” kishin pasur akses në këngën e tyre.

Ndërkohë, një padi tjetër është ende në zhvillim. Në 2023, producenti Bosko Kante paditi Dua Lipën, Warner Music Group dhe producentin Stephen Kozmeniuk, duke pretenduar se një regjistrim i talkbox-it të tij ishte përdorur pa leje në tre remikse të “Levitating”.

Në shtator 2024, gjykatësi Hernan D. Vera i Gjykatës së Distriktit të Kalifornisë refuzoi një kërkesë për të rrëzuar këtë çështje, duke e lënë atë të vazhdojë. /Telegrafi/